ORIGJINAL m.

  • 1. Dorëshkrimi i parë i një vepre, trajta e parë e një dorëshkrimi; vepra e vërtetë, që është krijuar nga vetë autori, që nuk është përkthim, riprodhim ose kopje e një tjetre; vepra ashtu siç është krijuar për herë të parë dhe që nuk ka pësuar asnjë ndryshim të mëvonshëm. Origjinali i një vepre (i një pikture). Origjinali i një vërtetimi (i një deklarate). Vërtetohet njësia me origjinalin. zyrt. E lexoj në origjinal. Botohet sipas origjinalit. Nuk dallohet nga origjinali.
  • 2. shtypshkr. Dorëshkrim a kopje e shtypur me makinë, që shërben si bazë për radhitjen e tekstit. Punon me origjinalin. E ndreqi sipas origjinalit.

ORIGJINAL mb.

  • 1. Që është vërtet ai i fillimit, që është bërë a është krijuar për së pari nga dikush; që nuk është përkthim, riprodhim a kopje e diçkaje tjetër (për një vepër letrare ose artistike); që është bërë nga vetë autori. Vepër origjinale. Pjesë origjinale. Tekst origjinal. Monedhë origjinale.
  • 2. Që shkruan a krijon në një mënyrë të vetën, që sjell diçka të re me veprën e tij; që sjell diçka të re, që i është krijuar në mënyrë të re. Shkrimtar (mendimtar, dijetar) origjinal. Artist (kompozitor) origjinal. Mendim origjinal. Ide origjinale. Vizatim origjinal.
  • 3. bised. Që bie në sy nga sjellja e veçantë ose nga qëndrimi mjaft i ndryshëm në krahasim me të tjerët, që nuk është i ngjashëm me të tjerët dhe flet, sillet a vepron në mënyrë jo të zakonshme a pak të çuditshme. Njeri origjinal.