përdredh
përdredh kal.
- 1. Dredh një fill a diçka tjetër si fill, duke e rrotulluar rreth vetes; dredh dy a më shumë fije së bashku, dredh fort; kund. shpërdredh. Përdredh fijet (telin). Përdredh litarin. Përdredh kashtën për ta bërë lidhëse. Përdredh çipin e shamisë.
- 2. I jap trajtë të lakuar a të valëzuar ose të rrumbullakët diçkaje që është e drejtë, e bëj me dredha, e bëj dredha-dredha. Përdredh flokët. Përdredh mustaqet.
- 3. Rrotulloj me forcë një gjymtyrë a një pjesë të trupit; nxjerr nga vendi një gjymtyrë kur rrëzohem, ndrydh. Ia përdrodhi qafën (pulës). Ia përdrodhi krahun. Përdrodhi dorën (këmbën).
- 4. Rrotulloj e lakoj në drejtime të ndryshme, tund e lëviz (për trupin etj.). Përdredh trupin (belin). Përdredh vithet.
- 5. I jap disa dridhje të caktuara, e ul dhe e ngre shpejt; e dredh (për zërin). Përdredh zërin.
- 6. fig. bised. I sjell vdekjen, e vdes. E përdrodhi sëmundja (tuberkulozi).
- E përdrodhi (e drodhi) bishtin (këmbën) përçm. shih te DREDH. Përdredh (mbledh, rrudh, shtrembëron, tharton) buzët (turinjtë, hundët) shih te BUZ/Ë,~A. I përdredh fjalët s'qëndron në një fjalë, nuk e mban fjalën që ka dhënë, e dredh. Ia përdrodhi kokën mospërf. e vrau, e mbyti.