përfshij
PËRFSHIJ kal.
- 1. E pushtoj dikë a diçka me një krah ose me të dy krahët, e rrok; e kap, zakonisht me forcë a me rrëmbim; e mbërthej për diçkaje. Aq sa më përfshijnë krahët. Ahun s'e përfshinin dot dy burra. E përfshiu për flokësh. E përfshiu nga jaka. E kish përfshirë pas beli.
- 2. E marr dikë a diçka me vete e me vrull, e rrëmbej, e përlaj; e ha krejt, e mbaroj me shpejtësi; e shfaros. E përfshinë valët (dallgët). I përfshiu era (veriu) bimët. E përfshiu tufani kasollen. E përfshinë të gjithë kullotën bagëtitë. E përfshiu të gjithë gjellën. I përfshiu kolera.
- 3. Pushtoj një vend me forcë dhe në mënyrë të shpejtë. Përfshinë gjysmën e Evropës. Përfshinë stepat e Azisë.
- 4. E shtoj në përbërjen e diçkaje, e shtie, e fut; e bëj dikë të marrë pjesë diku. Përfshij në tekst (në program). E përfshinë edhe atë çështje në rendin e ditës. E përfshinë në marrëveshje (në bllok, në besëlidhje).
- 5. vet. veta III. Ka në përbërjen e vet, përmban. Përfshin disa toga (kompani). Përfshin një numër të madh punëtorësh. Rrethi përfshin disa qytete e shumë fshatra. Programi përfshinte mjaft këngë partizane. Përfshin një numër të madh veprash. Rendi i ditës përfshinte shumë pika.
- 6. vet. veta III. Përhapet në një vend me shpejtësi e me vrull (një dukuri, një sëmundje etj.); e rrëmben dikë a diçka. Fryma revolucionare ka përfshirë gjithë vendin. I përfshiu hovi i kryengritjes. Epidemia përfshiu gjithë zonën.
- 7. fig. E rrok tërësisht diçka a dikë me sy a me mend, e kap menjëherë e tërësisht. E përfshiu me një sy (me një vështrim, me një shikim). Sa të përfshin syri.