PËRFUNDOJ kal.

  • 1. E shpie diçka deri në fund, e mbaroj një punë a një detyrë, kryej plotësisht, i jap fund; kund. nis; filloj. Përfunduan mbjelljet (ujitjen). Përfunduan ndërtimin e hekurudhës. I përfundoi me sukses provimet. E përfunduan planin para afatit.
  • 2. Arrij të lidh një marrëveshje zyrtare me dikë dhe nënshkruaj dokumentin përkatës, lidh, nënshkruaj. Përfunduan një marrëveshje (një traktat).
  • 3. jokal. vet. veta III. Kryhet diçka plotësisht, mbaron, merr fund. Përfundoi kolektivizimi i bujqësisë (elektrifikimi i gjithë vendit). Përfundoi me kohë (shpejt) korrja e të lashtave. Përfundoi ndeshja. Përfunduan provimet. Përfunduan korrjet (mbjelljet). Përfundoi para kohe (me vonesë).
  • 4. jokal. Arrij më në fund në një gjendje të caktuar; mbaroj diku a në një gjendje të caktuar. Përfundoi mirë (keq). Përfundoi në burg (pa punë). Përfundoi i sëmurë (në spital). Agresorët përfunduan me turp.
  • 5. jokal. Arrij në një mendim të përbashkët pas shqyrtimit të një çështjeje me një tjetër a me të tjerë, nxjerr një përfundim. Përfunduan se puna duhej vijuar më tej.