PËRPIJ kal.

  • 1. E ha diçka shpejt e shpejt, me uri të madhe e pa e përtypur mirë, e përlaj; e gëlltit përnjëherësh (sidomos për bishat). Ujku e përpiu qengjin. E përpiu tërë gjellën. Besonin se kuçedra i përpinte njerëzit dhe kafshët.
  • 2. kryes. veta III edhe fig. E merr me vete dhe e zhduk, e thith dhe e përfshin brenda vetes; e zhduk, e asgjësoj duke e mbytur, duke e djegur etj.; e mposht dhe e shfaros. E përpinë ujërat. E përpiu deti (lumi). E përpiu zjarri. I përpinte kurbeti. E përpiu lufta. E përpinin armikun të gjallë.
  • 3. vet. veta III fig. E mbështjell dhe e bën të padukshëm, e fsheh, e zhduk. I përpiu nata (errësira, mjegulla). E përpinë retë.
  • 4. kryes. veta III fig. Thith e mbaron sasi të mëdha; harxhon shumë forca për t'u bërë; i marr shumë kohë ose shumë energji. Përpinte gjysmën e të ardhurave (e prodhimit). Përpin forca të mëdha. Ia përpiu të gjitha energjitë (të gjithë kohën).
  • 5. fig. Dëgjoj me vëmendje të madhe dikë që flet, që këndon etj.; e përvetësoj menjëherë e të gjithë diçka që dëgjoj a lexoj, e thith të tërën; lexoj shumë e shpejt. Ia përpiu fjalët (këshillat, bisedën). I përpinte librat e rinj. E përpiu letrën. E përpin muzikën.
  • E përpiu (e thithi, e piu, e rrufiti) dheu shih te DHE,~U. I përpiu (i hëngri, i gëlltiti) fjalët shih te GËLLTIT. E përpiu të gjallë e përlau dhe e zhduku. Përpin retë është shumë trim, është i shkathët dhe trim me fletë. E përpiu rrugën e bëri një rrugë me nxitim e me shpejtësi të madhe. E përpiu me sy ia nguli fort vështrimin e s'ia ndante sytë; e shikoi me lakmi e me dëshirë të papërmbajtur, e hëngri me sy.