PËRSHESH m.

  • 1. Copa buke të futura e të zbutura në një enë me qumësht, me kos etj. Përshesh me qumësht (me dhallë, me kos). Bëri një përshesh të mirë. Hëngri një çanak me përshesh.
  • 2. Gjellë që bëhet me copa buke të zhytura në lëng mishi (kryesisht të pulës) ose të përvëluara me ujë të valë, me gjalpë e me erëza; gjellë me grurë të zier, me miell, me vaj e me mjaltë. Përshesh me bukë misri (me kulaç). Përshesh me gjalpë e me dhiozmë. Gjel deti me përshesh. E bëri pulën me përshesh.
  • 3. fig. Rrëmujë, lëmsh, çorbë. U bë puna përshesh. E bëri përshesh diçka e ngatërroi keq diçka.
  • M'u bë koka (mendja) përshesh (dhallë, bozë, çorbë, lëmsh, tym) shih te DHALL/Ë,~A. Ia bëri turinjtë (hundët, kokën) përshesh dikujt e goditi rëndë dhe e gjakosi në fytyrë, ia theu turinjtë dikujt, e dërrmoi. I ka dalë qumështi mbi përshesh dikujt shih te QUMËSHT,~I. I ha përsheshin macja shih te HA. U nda nga lëngu e nga përsheshi dikush shih te LËNG,~U. Gjen shesh e bën përshesh shih te SHESH,~I. Di vetëm të hajë (të rrasë) përshesh dikush di vetëm të hajë e të pijë, nuk e ke për punë. U bënë përshesh me përshesh (me njëri-tjetrin) u përleshën e u rrahën keqas, u vranë e u grinë. Lopa në mal, përsheshi në vatër (në xham) fj. u. shih te LOP/Ë,~A.


PËRSHESH kal.

  • 1. E bëj bukën copa-copa të vogla dhe e fut në një enë me qumësht, me kos, me lëng mishi etj.; e bëj bukën përshesh.
  • 2. fig. E dërrmoj fare diçka, e bëj thërrime. I përsheshi kali plisat me potkonj.
  • Ia përsheshi turinjtë (hundët) dikujt e goditi rëndë në fytyrë dhe e gjakosi, ia dërrmoi hundët, i theu hundët; i theu turinjtë.