përziej
PËRZIEJ kal.
1. Hedh a vë bashkë në një vend gjëra të ndryshme a lloje të ndryshme të një lënde etj., i tund, i trazoj, i ngatërroj etj. deri sa të dalë prej tyre një masë pak a shumë e njëllojtë. Përziej dy ngjyra. Përziej të kuqen me të verdhën. Përziej verën me ujë. Përziej duhanin e fortë me të butin. Përziej të verdhën e vezës me të bardhën. Përziej miellin e misrit me miell gruri. Mos e përziej rakinë! Mos e përziej miellin me krundet!
2. Vë bashkë sende të ndryshme pa rend e pa rregull; ndryshoj radhën e vendosjes së gjërave; bëj bashkë, ngatërroj. Përziej letrat. Përziej gurët e dominosë. Përziej dhentë me dhitë. Na i përziejnë rrobat (këpucët). I përzjenë nxënësit e klasave të ndryshme. Mos i përziej drutë e thata me drutë e njoma!
3. Trazoj me dorë, me këmbë, me një vegël etj. diçka në një enë a në një gropë që të bëhet e tëra njëlloj. Përziej gëlqeren (llaçin). Përziej rërën. Përziej gjellën me lugë.
4. fig. Vë bashkë gjëra që nuk mund a nuk duhet të bashkohen, bashkoj dy a më shumë gjëra të ndryshme në mënyrë të parregullt, ngatërroj. Përzien fjalët e autorit me fjalët e veta. Përzien pikëpamjet materialiste me pikëpamjet idealiste.
5. Lëroj tokën për së dyti. E thyejnë tokën dhe e përziejnë.
6. fig. keq. Shtie në grindje e në ngatërresa njerëzit që janë bashkë ose afër njëri-tjetrit, ngatërroj. Përzjeu një lagje (një mëhallë). Përzjeu tërë dynjanë (botën).
7. fig. E fut a e ngatërroj dikë në një punë të papëlqyer ose me të tjerë. Mos më përziej në atë punë! E kishte përzier me ca rrugaçë.
- Përzjeu bukën etnogr. hyri dhe hëngri për herë të parë te krushku i ri. Përzien (ngatërron) lëmshin (fijet, penjtë) shih te NGATËRROJ.