pak
PAK I pakuf.
- 1. Përdoret për të treguar në mënyrë të pacaktuar një numër të vogël qeniesh, sendesh, dukurish etj., një sasi a masë të vogël; kund. shumë. Pak njerëz (burra, nxënës, punëtore). Pak shokë (të afërm, të ftuar). Pak ndërtesa (shkolla). Pak kohë më parë. Pak ujë. Pak lekë (para). Kishte pak pluhur (baltë). Ra pak shi. Ka pak të ngjarë. Me pak fjalë shkurt. Më mirë pak e sak, se shumë e për lumë. fj. u. Fjalë pak e punë shumë. fj. u.
- 2. Përdoret për të treguar në mënyrë të pacaktuar një numër të vogël ose një pjesë të vogël të një tërësie qeniesh a sendesh; kund. shumë. Pak nga të sëmurët. Pak prej tyre. Pak ishin të pavendosur. Pak nga të tëra. Erdhën pak, të tjerët s'u dukën. Mori pak, të tjerat i la.
- Pak gjë pa... shih te GJË. Mish pak e pupla shumë shih te MISH,~I. Shumë pula e pak vezë shih te PUL/Ë,~A.
PAK II ndajf.
- 1. Në një shkallë jo të lartë, në një masë të vogël; kund. shumë. Pak fare. Pak a shumë në një fare mase, deri diku. Çdo ditë e më pak. Ku më pak e ku më shumë. Punon (lexon, shkruan) pak. Djeg (shkëlqen) pak. Pret pak (thika). Prodhon (jep) pak. Kanë mësuar pak. U lodh pak. Kënaqej me pak. Është bërë pak në këtë drejtim. Mbetet edhe pak për të bërë.
- 2. Jo aq sa duhet a sesa është e nevojshme. Ka fjetur pak. Ka zier pak. Ka ngrënë pak. Ke ndenjur pak në diell. E ka mprehur pak. Pak e ka!
- 3. Jo shumë kohë, jo gjatë. Ndenji pak. S'ka pak që u kthye. Prit pak! Heshti pak. Rri dhe pak. Të mendohem dhe pak. Era mbajti pak.
- Pak se... jo vetëm që..., nuk mjafton që... Për pak pothuaj, gati sa; për një fije, për një qime. Pak (e) nga pak ca nga ca, dalëngadalë.
PAK III pj.
- 1. Përdoret përpara një mbiemri a një ndajfoljeje për të treguar një shkallë jo të lartë të cilësisë së një frymori, të një sendi etj. ose të veprimit a të gjendjes; kund. shumë. Pak i egër. Pak i ftohur. Pak i shkuar në moshë. Pak i zbehtë. Pak larg (afër). Pak me gjerë. Pak më shumë.
- 2. Përdoret përpara shkallës krahasore të sipërisë të një mbiemri a ndajfoljeje për të treguar një farë dallimi cilësor ndërmjet gjymtyrës së parë e gjymtyrës së dytë të krahasimit; kund. shumë. Është pak më i fortë (më i mprehtë, më punëtor) se tjetri. Vrapon pak më shpejt (me ngadalë) se ai. Pak më mirë (më keq) se... Pak më tej (më poshtë).
- 3. Përdoret pas një foljeje në mënyrën urdhërore për të zbutur urdhrin, kërkesën etj. që shprehet prej saj. Ma jep pak shkrepësen! Hape pak dritaren! Thuaji pak të vijë!