pasiv
PASIV m. fin.
- Pjesë e bilancit ekonomik të një ndërmarrjeje, që përfshin të gjitha shpenzimet dhe detyrimet që ka ajo ndaj ndërmarrjeve të tjera; kund. aktiv. Aktivi dhe pasivi. Pasivi i bilancit. Shuma e pasivit.
PASIV I mb.
- 1. Që nuk vepron, që nuk merr pjesë në një punë a veprimtari; që rri në pritje e nuk vetëvepron; jo i gjallë, i plogët; që nuk ndikon me forcë në zhvillimin e ngjarjeve; kund. aktiv. Njeri pasiv. Nxënës pasiv. Qëndrim pasiv. Qëndresë pasive. Mbrojtje pasive. Rol pasiv. Tregohej pasiv.
- 2. spec. Që nuk merr pjesë në një proces; që nuk vepron më, që është shuar; kund. aktiv. Vullkan pasiv vullkan i shuar.
- 3. Që nuk zotërohet në mënyrë të thelluar dhe nuk vihet në përdorim gjallërisht e pa vështirësi; kund. aktiv. Fjalori pasiv. E zotëron në mënyrë pasive një gjuhë.
PASIV II mb. fin.
- Që ka më shumë shpenzime se të ardhura; që ka të bëjë me pasivin e bilancit; kund. aktiv. Llogari pasive. Bilanc pasiv bilanc me shpenzime më të mëdha se të ardhurat.