PASQYRË f.

  • 1. Fletë xhami e lyer nga njëra anë me një shtresë të hollë të një përzierjeje argjendi, kallaji, zhive etj., që ka vetinë të kthejë rrezet e dritës dhe të japë të plotë shëmbëllimin e çdo gjëje që ndodhet përpara; sipërfaqe metalike e lëmuar, që ka këtë veti. Pasqyrë e rrafshët (e lugët). Pasqyrë muri. Pasqyrë xhepi. Raft me pasqyrë. Shihet në pasqyrë. U thye pasqyra. Qëndron përpara pasqyrës. Ndrit si pasqyrë.
  • 2. Sipërfaqe e rrafshët e ujit etj., që e kthen dritën. Përmbi pasqyrën e detit.
  • 3. Listë a tabelë përmbledhëse, që përmban një varg të dhënash, emrash etj. të ndara në shtylla ose sipas një renditjeje; paraqitje e përmbledhur e ngjarjeve, e dukurive ose e një përmbajtjeje të caktuar. Pasqyrë e shkurtër (përmbledhëse). Pasqyrë statistikore. Pasqyra e hyrjeve dhe e daljeve. Pasqyrë e përllogaritjeve. Pasqyra e notave. Pasqyra e lëndës përmbajtja, tryeza e lëndës së një libri. Pasqyra e shtypit të përditshëm.
  • 4. fig. Diçka që jep një paraqitje të gjallë të dukurive, të ngjarjeve e të rrethanave, tablo e gjallë, shprehëse dhe e vërtetë; paraqitje a shprehje besnike e diçkaje; pasqyrim. Pasqyrë e gjallë. Pasqyrë e jetës (e punës). Pasqyrë e vrullit revolucionar.
  • 5. përd. mb. Shumë i pastër e shumë i ndritshëm. U bë pasqyrë. E kishte dyshemenë pasqyrë. I bëri këpucët pasqyrë.
  • 6. përd. ndajf. Shumë (me mbiemra si i pastër, i ndritshëm, i shkëlqyer etj.). E pastër pasqyrë. I ndritshëm pasqyrë.
  • E ka zemrën pasqyrë ka shpirt të mirë dhe të pastër, ka zemër të kulluar, është shumë i çiltër. E shoh veten si në pasqyrë shoh qartë të metat dhe gabimet e mia për t'i ndrequr.