pastroj
PASTROJ kal.
- 1. I heq diçkaje pluhurin, plehrat, baltën, lyrën, bojën etj. me fshesë, me furçë, duke e fërkuar me leckë të lagur, me ujë etj., i heq papastërtitë e ndryshme, e bëj të pastër; laj me ujë e me sapun. Pastroi shtëpinë (dhomën, oborrin). Pastroi rrobat (këpucët). Pastroj xhamat. Pastroj biçikletën. Pastroj dhëmbët. Pastroj me fshesë (me furçë, me leckë). Pastroj me ujë.
- 2. tek. I heq ndryshkun diçkaje duke e fërkuar; e fshij dhe e bëj të shkëlqejë, i jap shkëlqim. Pastroj armët (shpatën). Pastroj enët.
- 3. I heq mbeturinat a çdo gjë tjetër që e zë, e ndalon, e prish etj.; largoj gjërat që e kanë zënë dhe që të pengojnë për të kaluar, për të punuar etj. Pastroi kanalin (pusin, vijën e ujit). Pastroj oxhakun. Pastroj çatinë nga dëbora. I pastroi rrugën. Ia pastroi tryezën. E pastroi vendin për arkat.
- 4. vet. veta III. I heq puçrrat, dregëzat ose njollat në fytyrë e në lëkurë, e qëron; ia lan organizmin nga diçka e keqe, e dëlir. Ia pastroi fytyrën. Ia pastroi zorrët.
- 5. vet. veta III. E kthjellon, i largon retë. Era e pastroi qiellin (motin).
- 6. E qëroj nga lëndët e huaja, nga pluhuri etj., e bëj të kulluar a të pastër. Pastroj ujin (ajrin). Pastroj grurin. Pastroj arën nga gurët (nga ferrat).
- 7. I heq cipën, lëkurën ose pjesë të tjera të panevojshme një sendi ushqimor përpara se ta gatuaj ose përpara se ta ha, qëroj. Pastroj peshkun. Pastroj perimet. Pastroje mollën (dardhën)!
- 8. fig. Zhduk mbeturinat e ndikimet e ideologjisë së huaj; dëboj elementët me qëndrime politikisht të huaja e të dëmshme. Pastroj ndërgjegjen (vetëdijen). Pastroj botëkuptimin. I pastruan radhët.
- 9. E çliroj a e shpëtoj një vend duke dëbuar ose duke asgjësuar armiqtë e tradhtarët. Ushtria Nacionalçlirimtare e pastroi vendin nga pushtuesit e tradhtarët. E pastruan nga bandat e kriminelëve.
- 10. Heq atë që është e huaj, e tepërt, e panevojshme ose e dëmshme; e bëj më të qartë dhe më të kuptueshme diçka. Pastroj gjuhën nga fjalët e huaja. Pastroj programet (tekstet) nga lënda e tepërt.
- Pastro (laj) gojën! mospërf. shih te LAJ. Pastroj (kruaj) zërin (gurmazin) shih te KRUAJ. Pastroj ahuret e Augjiasit libr. shih tek AHUR,~I.