PLIS I m.

1. Copë e madhe dheu, që ngre plugu kur çan tokën; copë e tillë dheu me bar, e prerë me bel a me ndonjë mjet tjetër. Plisat e arës. Plis me bar. Thyen (shtyp, vret) plisat. I veshën anët e rrugës me plisa.

2. përd. ndajf. Si plëndës, pa lëvizur; si lëmsh, shuk. Ra plis në tokë. Më ra buka plis në stomak më ra buka si gur në stomak e më rëndoi shumë. Mbeti plis përdhe.

3. përd. ndajf. Plot, mizë. U mbush sheshi plis me nxënës.

4. përd. ndajf. Shumë (me mbiemrin i rëndë). Ishte plis i rëndë (i rëndë plis).

  • Si breshka nëpër plisa shih te BRESHK/Ë,~A. Nuk rri iriqi në plis fj. u. njeriu dëshiron të jetë gjithnjë i lirë, nuk i pëlqen zogut kafazi. Nuk zihet (nuk mbulohet) dielli me plisa fj. u. shih te DIELL,~I.


PLIS II m.

1. Lloj cohe, që bëhet me lesh delesh të shkelur disa herë, duke e lagur me ujë të vakët e duke e fërkuar me sapun derisa të thahet e të forcohet; një cohë e tillë që përdoret si plaf. Shtroi plisin. Bënte plisa. Flinte (shtrihej) në plis.

2. Kësulë e bërë prej kësaj cohe, e cila sipër vjen zakonisht e rrumbullakët si kupë; qeleshe. Plis i bardhë.

3. Copë prej cohe të tillë ose copë thesi e mbushur me kashtë thekre si jastëk, e cila vihet nën samar që të mos vritet kafsha në kurriz; një copë cohe prej leshi, prej thesi a prej lëkure, që i vihet kaut në qafë që të mos e vrasë zgjedha, qafëz.

4. Lëmyshk që zënë drurët, zakonisht nga ana e veriut.