pluhur
PLUHUR m.
1. Dhe i tharë e i thërrmuar shumë imët, që formohet zakonisht në verë nëpër rrugë, nëpër fusha etj. ngrihet lehtë në ajër ose mbulon sipërfaqet e sendeve të ndryshme; lëndë tjetër e ngurtë, e thërrmuar hollë si hi. Pluhur i imët (i hollë, i dendur). Pluhur vullkanik pluhur që formohet nga ngurtësimi i cirkave të lavës së vullkanit. Pluhur kozmik pluhur i hapësirës ndëryjore a ndërplanetare, që shkëputet nga yjet ose nga planetët. Pluhur radioaktiv. Pluhur rëre (guri, shkumësi). Pluhur druri (sharre) tallash. Pluhur metali (plumbi). Pluhuri i letrës. Pluhur qymyri (gëlqereje, duhani). Pluhur bore. Pluhuri i rrugës. Re pluhuri. Shtjellë (vorbull) pluhuri. Ishte bërë me pluhur. Ngriti pluhur era. Zuri pluhur. Kishte një pëllëmbë pluhur kishte zënë shumë pluhur. Iu mbush goja (koka) me pluhur. E mbuloi pluhuri. Shkund (heq, pastroj, marr, fshij) pluhurin. Zhgërryhet në pluhur. Ra në pluhur.
2. kryes. bised. Thërrmija dheu, qime e të fshira që zënë orenditë, dhomat etj.; lëmishte, bëzhdile. Pluhurat e shtëpisë. Thithës pluhurash. Kishte shumë pluhura. Heq (fshij) pluhurat. I ra një pluhur në sy.
3. Lëndë e veçantë me origjinë bimore, shtazore ose minerale, e shtypur a e bluar si miell, që përdoret si bar, për të gatuar, për të larë etj. Pluhur i imët. Pluhur i thjeshtë pluhur që përmban vetëm një lëndë. Pluhur i përbërë pluhur që përmban disa lëndë. Pluhur sapuni. Pluhur rrobash. Pluhur salepi. Pluhur hardalli. Pi pesë (dhjetë) gramë pluhur në ditë.
4. fig. Diçka e keqe që të pengon, të bën të humbasësh gjallërinë, të mban në një gjendje plogështie etj. Pluhuri i harresës. Pluhuri i burokratizmit. E ka mbuluar pluhuri. E shkundi pluhurin.
5. përd. mb. Që është në trajtë mielli a hiri, i thërrmuar. Qumësht pluhur. Sheqer (kafe, piper) pluhur. Bar (ilaç) pluhur. Qymyrguri pluhur. Barut pluhur. Pleh pluhur.
- E bëri hi (hi e pluhur, shkrumb e hi) diçka shih te HI,~RI. U bë pluhur u shkatërrua ekonomikisht, u dogj e u shkatërrua krejt, u bë hi. E hodhi (e rrëzoi) në pluhur dikë a diçka e dërrmoi, e shkatërroi fare; e flaku tutje, e braktisi. E ka zënë pluhuri diçka është harruar fare, nuk është kujtuar njeri për të, ka një kohë të gjatë që nuk përdoret. U bë baltë e pluhur dikush u përul para dikujt, u nënshtrua, u bë urë e vig. I hodhi pluhur (hi) syve dikujt shih te HI,~RI. Nuk i hedh pluhur faqes nuk e bëj veten me turp, nuk turpërohem. Humbi si pluhuri në erë humbi pa lënë gjurmë, humbi pa nam e nishan; shkoi kot. Nuk mban pluhur në vesh preket shumë shpejt; nuk duron fyerje. Nuk mban pluhur mbi vete nuk lejon ta njollosin a ta turpërojnë; nuk duron fyerje. Ngre (çon) pluhur në ilaç dikush merret me një punë të kotë, i futet një pune që s'bëhet. I ngrihet (i çohet) pluhuri (nga) prapa dikujt për të flasin kudo që të vejë (zakonisht kur flasin edhe mirë edhe keq). Mos ngri (mos ço) pluhur! mos fol, mos bëj zhurmë (për një çështje). Shkëmbeu hiçin me pluhur s'fitoi asgjë.