POLITIKË f.

1. Veprimtaria e pushtetit shtetëror të një vendi, që lidhet me qeverisjen e me drejtimin e shtetit, me marrëdhëniet me shtetet e huaja etj. dhe që ka për qëllim të ruajë e të forcojë bazën ekonomike e rendin shoqëror, si edhe të mbrojë interesat e klasës në fuqi; veprimtaria e një partie ose e një grupi shoqëror brenda vendit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, që përcaktohet nga qëllimet e interesat klasore; filoz. pjesë e superstrukturës, që, si shprehje e koncentruar e ekonomisë, përgjithëson marrëdhëniet ndërmjet klasave, partive politike, shteteve a grupeve shoqërore. Politikë revolucionare (marksiste, proletare). Politikë reaksionare (borgjeze, revizioniste, antimarksiste, antipopullore). Politike e hapur (e çiltër, parimore, e urtë, largpamëse, e drejtë, paqësore, e pavarur). Politikë grabitqare (kolonialiste, hegjemoniste, shoviniste, sunduese, kapitulluese). Politika e brendshme (e jashtme). Politika dhe ekonomia. Politika e dyerve (e portave) të hapura. Politike e grushtit të hekurt. Politika e kulaçit dhe e kërbaçit politikë që bëhet herë me të mirë e me premtime të bukura herë me kërcënime, me shtrëngim e me dhunë. Përçues i politikës. Ndjek një politikë të caktuar. Ndryshoi politikën. E vë politikën në plan të parë.

2. Tërësia e çështjeve, e problemeve dhe e ngjarjeve në jetën shoqërore e shtetërore, të brendshme e ndërkombëtare. Politika e sotme ndërkombëtare. Foli për politikë. S'mund të qëndrosh jashtë politikës.

3. Veprimtari që lidhet me çështjen e pushtetit ose me metodat që përdoren në fusha të veçanta të jetës shoqërore, të cilat përcaktohen nga interesa dhe qëllime klasore; veprimtaria e dikujt që merr pjesë gjallërisht në punët e pushtetit dhe në mbrojtjen e interesave klasore. Politika ekonomike. Politika e çmimeve. Politika arsimore. Politika gjuhësore. Bënte politikë. Merrej me politikë. E dënuan për politikë.

4. bised. Veprimtari e shkathët, e zhdërvjellët dhe e zgjuar, e përshtatur sipas njerëzve, rrethanave e qëllimeve; keq. dinakëri në qëndrim e në sjellje, dredhi që përdoret nga njerëz joparimorë për të arritur qëllime të caktuara a për të mashtruar dikë. Duhej politikë atëherë. E mori me politikë. Ia mbushi mendjen me politikë.