praktikë
PRAKTIKË f.
1. filoz. Veprimtaria e gjithanshme e njerëzve për shndërrimin e natyrës e të shoqërisë, që është burimi i lindjes, i zhvillimit e i pasurimit të teorisë dhe kriteri themelor i së vërtetës; tërësia e vëzhgimeve dhe e eksperimenteve shkencore, veprimtaria e njeriut për të zbatuar në jetë njohuritë e fituara. Praktikë revolucionare. Praktikë historike shoqërore. Lidhja e teorisë me praktikën. Shkëputja e praktikës nga teoria. Shkëputja e teorisë nga praktika. Teoria lind nga praktika (pasurohet në praktikë, i shërben praktikës, vërtetohet me praktikë, korrigjohet nga praktika). Praktika pa teorinë është e verbër. Praktika ka epërsi mbi teorinë.
2. Mjedisi ku jetojmë e punojmë, bota që na rrethon; jeta ku zbatohet e vërtetohet një përfundim i caktuar, një tezë etj.; realitet. Praktika e ndërtimit tonë socialist. Ndeshemi në praktikë me diçka. Vë në praktikë zbatoj, kryej, vë në jetë. E provoi (e njohu) në praktikë.
3. Tërësia e shprehive, e mënyrave dhe metodave të fituara në një fushë të caktuar të veprimtarisë, përvoja e grumbulluar që lehtëson kryerjen e një pune; mënyra a metoda për të bërë diçka. Praktikë e drejtë (e gabuar). Praktika e ndjekur deri tani. Teoria e praktika leksikografike. Ka praktikë. I mungon praktika. Bëhet praktikë pune. E di nga praktika.
4. Punë sistematike, e organizuar dhe e vijueshme, si pjesë e pandarë e të mësuarit në shkollë, në ushtri etj., që bëhet për të ngulitur e për të zbatuar njohuritë teorike, për të fituar shprehi të caktuara, për të rritur përvojën në një fushë të veprimtarisë shoqërore, për të përvetësuar një mjeshtëri etj. Praktikë bujqësore (pedagogjike, mjekësore). Praktika e nxënësve (e studentëve) në prodhim. Mësuesi i praktikës. Bëjnë (kryejnë) praktikën. E ka marrë (e ka përvetësuar, e ka fituar) me praktikë.