prishem
PRISHEM vetv.
1. vet. veta III. Rrëzohet përdhe diçka e ndërtuar, bëhet copë-copë, rrënohet, shembet, shkatërrohet. U prish shtëpia (muri, çatia).
2. vet. veta III. Vjen në një gjendje të tillë sa nuk punon më, dëmtohet sa s'hyn më në punë; del jashtë përdorimit, bëhet i papërdorshëm. U prish ora (motori, aeroplani).
3. vet. veta III edhe fig. Ngatërrohet, çrregullohet, pështjellohet diçka. Iu prishën flokët. U prish puna.
4. fig. Pësoj humbje të mëdha materiale ose ekonomike, dëmtohem rëndë, shkatërrohem, rrënohem. U prishëm gjatë Luftës por fituam lirinë. U prish vendi (ekonomia), por u rimëkëmb shpejt.
5. vet. veta III. Fshihet, shuhet, zhduket. I janë prishur shkronjat. Iu prish boja. U prishën gjurmët.
6. vet. veta III edhe fig. Dëmtohet diçka, shkatërrohet; keqësohet. Iu prishën dhëmbët. U prishën të mbjellat. Iu prish shëndeti. Na u prish puna.
7. Dobësohem, tretem; humbas shëndetin e bukurinë, shëmtohem. Pse ishte prishur ashtu?
8. vet. veta III edhe fig. Humbet vlerën a cilësitë e mira; zvetënohet, bastardohet. I prishet shija.
9. fig. Shthurem nga ana morale, bëhem i keq, marr udhë të keqe duke mësuar vese. Qe prishur ai djalë, por tashti erdhi në udhë të mbarë.
10. bised. Shtrembërohem në fytyrë për të shprehur një dhembje, një pakënaqësi etj. U prish në fytyrë.
11. vet. veta III. Kalbet, qelbet e zë erë të keqe (për mishin a për lëndë të tjera organike); thartohet. U prish mishi. U prishën gjellët. U prish qumështi.
12. vet. veta III. Mban erë, merr erë të keqe; fig. ndyhet, fëlliqet. U prish ajri. U prish atmosfera.
13. vet. veta III. Bie, nuk mbahet më, shkatërrohet. U prish krushqia (miqësia). Nuk u prish bashkimi.
14. vet. veta III (kryes. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore) fig. Nuk e kam më një dëshirë, një gjendje shpirtërore etj., më ikën diçka që kisha, që ndjej etj.; zemërohem, fyhem. Nuk më prishet qejfi. Iu prish rehatia (gjumi). Iu prish oreksi.
15. vet. veta III. Merr një drejtim tjetër; kalon në një gjendje tjetër, luan nga qëndrimi i parë. Iu prish drejtimi (ekuilibri).
16. Ndërpres marrëdhëniet e mira që kam pasur me dikë; zihem me dikë. Për pak u prisha me të.
17. vet. veta III. Vishet me re, vrenjtet (për qiellin); bëhet më e ftohtë a me reshje (për kohën); ndryshon për keq, egërsohet. U prish moti (koha). U prish deti filluan dallgët.
18. vet. veta III bised. Dështon (për bagëtinë). U prish një dhi (një dele).
19. Pës. e PRISH.
- Nuk u prish bota (dynjaja)! mospërf. s'ka ndodhur ndonjë e keqe e madhe!, nuk u bë kiameti! Iu prish çarku shih te ÇARK,~U. Iu prish (iu turbullua) gjaku u tremb, u frikësua shumë; u trondit shumë, u shqetësua shumë. M'u prish gjiza! thjeshtligj., iron. shih te GJIZ/Ë,~A. M'u prish mendja fillova të mendoj ndryshe, m'u kthye mendja; u hutova. U prish (u çart) nga mendtë (nga mendja, mendsh, nga fiqiri) u çmend; u marros. M'u prish puna! mospërf., iron. nuk ka rëndësi për mua!, s'bëhem merak!, s'më bëhet vonë!, aq më bën!, punë e madhe fort! S'prishet dasma për një qepë (për një limon) fj. u. shih te DASM/Ë,~A.