PRITJE f.

1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve PRES II, PRITEM II. Pritja e miqve. Pritja e festës. Pritja e fëmijës (nga mamia). Pritja e delegatëve. Dhoma e pritjes dhoma ku pritet një mik a i ftuar, dhoma e miqve. Jemi në pritje. libr. jemi duke pritur.

2. Përshëndetjet dhe urimet e mirëseardhjes që i bëhen dikujt në vendin ku arrin. Pritje e ngrohtë (e përzemërt, vëllazërore, madhështore). Pritja dhe përcjellja.

3. Drekë a darkë zyrtare, që shtrohet me rastin e një feste, të një ngjarjeje historike, për nder të miqve etj. Pritje zyrtare. Pritja e mirëseardhjes (e lamtumirës). Dha një pritje. Mori pjesë në pritje.

4. Biseda që zhvillon një punonjës i organeve të partisë, të pushtetit etj. me qytetarët për ndonjë punë, ndonjë kërkesë, ndonjë ankesë etj. Pritja e popullit. Orari i pritjes.