prodhues
PRODHUES m.
Ai që nxjerr a përpunon një lëndë të parë dhe jep diçka të gatshme për t'u përdorur, ai që përgatit diçka, ai që prodhon diçka me punë (në industri, në bujqësi etj.). Prodhuesit e naftës. Prodhuesit e çelikut (e mermerit, e drithërave, e panxharsheqerit, e pambukut, e rrushit, e verës, e letrës...). Prodhuesit e vegjël të mallrave. ek. ata që punojnë tokën në fshat dhe zejtarët në qytete (në vendet ku sundon prona private), të cilët zakonisht punojnë vetë, nuk shfrytëzojnë punën me mëditje dhe prodhojnë për shitje. Prodhuesi dhe konsumatori.
PRODHUES mb.
1. I aftë për të prodhuar diçka, që prodhon; që jep shumë prodhim, pjellor; prodhimtar. Tokë prodhuese. Lopë prodhuese.
2. Që jep a nxjerr një lëndë të dobishme, një prodhim të caktuar. Zonat prodhuese të pambukut. Vendet prodhuese të naftës.
3. Që lidhet me procesin e prodhimit të diçkaje, që ka të bëjë me prodhimin e të mirave materiale; që merret drejtpërdrejt me prodhimin e të mirave materiale. Aftësia prodhuese. Punë prodhuese. ek. Forcat prodhuese. ek. Kapital prodhues. ek. Sera prodhuese. ek. Veprimtaria prodhuese e njerëzve. Ndërmarrje prodhuese. Sektor prodhues. Klasa prodhuese në kapitalizëm.
4. Që ka pasur prodhime të shumta; prodhimtar. Vit shumë prodhues.
5. Që ka krijuar e krijon shumë vepra artistike a shkencore; prodhimtar. Shkrimtar mjaft prodhues.
6. gjuh. Që shërben për të formuar një fjalë të re a disa fjalë të reja; prodhimtar. Tema prodhuese. Parashtesë (prapashtesë) prodhuese. Model (tip) prodhues.