PUSHTET m.

1. Sundim politik i një klase, i një grupi shoqëror etj., që shprehet në të drejtën dhe mundësinë për të qeverisur shtetin, një krahinë, një rreth etj. nëpërmjet organeve të zgjedhura a të emëruara, kolegjiale a të përbëra nga një njeri i vetëm. Pushteti politik. Pushtet popullor. Pushtet i pakufizuar. Pushtet ekzekutiv (legjislativ). Pushteti shtetëror. Pushteti i klasës punëtore. Pushteti i borgjezisë. Pushteti i Këshillave Nacionalçlirimtare. Pushteti i mbretit. Çështja e pushtetit. Marrja e pushtetit. Vendosja e pushtetit popullor. Përqendrimi i pushtetit. Ndarja e pushtetit. Organet e pushtetit. Lufta për pushtet. Rrëmbeu pushtetin. Pushteti i përket popullit. Kalimi i pushtetit në duart e klasës punëtore. Ndodhet (është) në pushtet. Është i veshur me pushtet.

2. bised. Organet e qeverisjes së shtetit, të një krahine, të një rrethi etj.; administrata shtetërore në një vend, në një krahinë, në një rreth etj.; qeveria. Pushteti lokal. Veprimtaria e pushtetit. Ndërtimi i pushtetit. Përfaqësues i pushtetit. Shokët (drejtuesit) e pushtetit në rreth. Zyrat e pushtetit. Zgjedhjet për pushtetin lokal. Lidhjet e pushtetit me popullin.

3. E drejta dhe mundësia që ka dikush për të urdhëruar dikë, për të vepruar ose për të ndikuar mbi dikë a mbi diçka; fuqia që ka dikush a diçka; ndikimi që mund të ushtrojë dikush a diçka mbi një tjetër. Pushteti prindëror (atëror). Pushteti i njeriut mbi vetveten. Pushteti i parasë. Ka pushtet të madh mbi të. Nuk iu nënshtrua pushtetit të burrit. S'ka pushtet të kapërcejë pragun.