PUSHTOJ kal.

1. Fut ushtrinë në një vend tjetër dhe shtie në dorë tokat e tij, e shkel një vend tjetër dhe ushtroj pushtetin mbi të; i heq me dhunë lirinë dhe pavarësinë një vendi a një populli, e robëroj; zë me forcë një vend; kund. çliroj. Pushtuan qytetin (fshatin). Pushtuan tërë vendin. Pushtuan tokat e feudalit. E pushtuan me (pa) luftë. Nuk e pushtuan dot.

2. Arrij deri në një vend të vështirë dhe e shkel atë; ngjitem deri në një vend shumë të lartë; shtie në dorë diçka, arrij ta zotëroj (edhe fig.). Alpinistët pushtuan majën. Oxhaqet pushtonin qiellin. Mundohen të pushtojnë tregje të reja. Rinia po pushton shkencën.

3. E kap dikë dhe e shtrëngoj fort me të dy krahët, e përqafoj dikë me mall; e përfshij diçka me dy krahët të hapur. Pushtoi të birin me mall. Pushtoi shtyllën (trungun). E pushtoi në kraharor. E pushtoi me të dy duart. E pushtoi fort. Nuk e pushtonin dot dy veta atë pemë.

4. fig. Arrij ta kap të gjithë me një vështrim. E pushtoi arin me sy. E pushtoi sallën (klasën) me një vështrim.

5. vet. veta III. Vjen, përhapet (zakonisht diçka jo e pëlqyeshme) dhe mbulon një vend a hapësirë, e përfshin të gjithë, e pllakos (edhe fig.). E pushtoi flaka. Zjarri pushtoi shtëpinë (pyllin). Arën e kishin pushtuar ferrat. Bora pushtoi male e fusha. Mornicat i pushtuan trupin. Vendin e pushtoi errësira. Heshtja pushtoi sallën.

6. kryes. veta III fig. (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Më zë, më kap tërësisht një ndjenjë, një mendim a një gjendje, më mbërthen të tërin; më bën për vete. E pushtoi gjumi. E pushtoi gëzimi (krenaria). E pushtoi vaji (gazi). E pushtoi dëshira. E pushtoi frika (tmerri, paniku, zemërimi). E pushtoi mërzia. E pushtuan mendime të zymta. Pushtoi mendjet (ndjenjat) e lexuesve.