REGËTIJ jokal.

  • 1. vet. veta III. Rreh e dridhet (për zemrën etj.). Regëtin zemra. I regëtin një damar. I regëtijnë sytë. Regëtin me forcë (me vrull).
  • 2. vet. veta III. Ndriçon dobët, duke u dridhur nga pak. Regëtin drita (flaka, zjarri). Regëtin llamba. Regëtijnë rrezet. Regëtijnë yjet. Regëtin në errësirë.
  • 3. vet. veta III. Nxjerr një zë të dridhur e si me të qarë; qan me zë të ulët e me dënesë; tingëllon dobët e me ndërprerje. Regëtin zëri. Regëtinte nëna (motra). Regëtin burimi. Regëtin motori. Nuk regëtin asgjë.
  • 4. vet. veta III fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më vjen e më pushton për një kohë të shkurtër një ndjenjë a një mendim, më rreh në shpirt një ndjenjë. I regëtiu një shpresë (një gëzim, një mendim). Më regëtiu në zemër (në shpirt, në kokë).
  • 5. Marr frymë me ndërprerje, me vështirësi e duke u dridhur në çastet para vdekjes, jam në grahmat e fundit, heq për shpirt. Regëtinte në shtratin e vdekjes.