RRËZË I f.

  • 1. Pjesa e poshtme e diçkaje që është e ngulur në tokë ose e mbështetur në të, fundi i diçkaje që ngrihet mbi tokë. Rrëza e murit (e gardhit). Rrëza e drurit (e pemës). Rrëza e malit brezi i fundit të një mali, ku ky fillon të ngrihet mbi fushën, këmbët e malit. Rrëza e shkëmbit (e kodrës). U ulën në një rrëzë muri (peme, kodre). E preu pemën deri në rrëzë. E prishi (e shembi) deri në rrëzë.
  • 2. Krahinë që shtrihet në brezin e fundit të një mali ose vargmali. Rrëza e Korçës (e Përmetit). Rrëzat e Shkodrës. Fshatrat e rrëzës.
  • 3. Vendi ku një gjymtyrë ose një organ tjetër bashkohet me trungun kryesor; fundi i një gjymtyre ose i një organi aty ku lidhet. Rrëza e veshit. Rrëza e kofshës. Rrëza e hundës. Rrëza e flokëve. Rrëza e gjuhës (e dorës). Në rrëzë të qafës. Ia prenë këmbën (dorën) deri në rrëzë. T'u thaftë deri në rrëzë! mallk.
  • 4. Pjesë e futur në skaj të një vendi ose të një sendi të mbyllur nga disa anë; kënd. skutë, cep. Rrëzat e arkës (e dollapit). Rrëzat e shtëpisë. E futi (e vuri) në një rrëzë. Fshijnë edhe rrëzat e dhomës. E ka harruar në ndonjë rrëzë. I kërkoi të gjitha rrëzat. Nuk lashë rrëzë pa parë.
  • 5. fig. Vend i mënjanuar, pak i fshehur ose që nuk rrihet nga njerëzit; skutë, qoshe. Rrëza të fshehta. Rrëzat e lagjes (e qytetit). Rrëzat e pyllit. Njeri i rrëzave. Rri (ecën) rrëzave. Fshihet (futet) rrëzave. Ka gjetur (ka zënë) ndonjë rrëzë.
  • 6. bised. Rrënjë bime. Një rrëzë ulliri (duhani, misri). Dru me rrëza. Lëshon rrëza.
  • Është nga rrëza vjet. është nga lagjet e skajshme të qytetit, është nga lagjet e të varfërve, është i varfër (thuhej në të kaluarën me mospërfillje nga shtresat shfrytëzuese për të shfrytëzuarit). Në rrëzë të veshit shih te VESH,~I. Ai është në rrëzë të dardhës shih te DARDH/Ë,~A. Nuk ka majë pa rrëzë fj. u. askush a asgjë nuk mund të ecë përpara pa pasur një themel të shëndoshë; nuk ka zhvillim pa një mbështetje të shëndoshë.

RRËZË II f. bot.

  • Bimë barishtore e vendeve të ngrohta, me gjethe të holla që dalin si fije nga kërcelli, me lule të imëta, të verdha e të mbledhura tufë dhe me rrënjë të tultë, e cila thahet, bluhet e përdoret si bojë për të ngjyer në të kuqe të ndezur. Rrënjët e rrëzës. Ngjyej me rrëzë.

RRËZË parafj.

  • Përdoret së bashku me një emër në rasën rrjedhore për të treguar:
  • 1. Vendin në pjesën e fundit të një sendi ku ndodhet dikush a diçka ose ku bëhet një veprim. Rrëzë malit (kodrës). Rrëzë murit. Rrëzë kofshës (veshit). U shtri rrëzë një peme.
  • 2. Vendin fare pranë një sendi, ku bëhet një veprim a ndodhet dikush a diçka. Eci rrëzë murit. Ishte rrëzë fshatit (qytetit). E ka rrëzë shtëpisë. I kaloi rrëzë veshit.