RREGULLT mb.

  • 1. Që ka rregull; që ka një vend të caktuar; kund. i çrregullt. Shtëpi e rregullt. I renditi në mënyrë të rregullt.
  • 2. Që bëhet ose që ndodh herë pas here me ndërprerje të barabarta kohe; që bëhet, që lëviz ose që punon me rregull, pa mungesa e pa ndryshime; kund. i çrregullt. Shëtitje (vizita) të rregullta. Kontrolle të rregullta. Frymëmarrje e rregullt. Rrahje e rregullt e zemrës. Hap i rregullt.
  • 3. Që i ka përmasat në përpjesëtim të drejtë e të harmonishëm ndërmjet tyre; që është i ndërtuar me simetri ose sipas një rendi, një parimi të caktuar; kund. i çrregullt. Tipare të rregullta. Trajtë e rregullt. Me trup të rregullt. Me dhëmbë të rregullt.
  • 4. Që përputhet me rregullat e vendosura, që bëhet sipas normave dhe rregullave të pranuara. Mësim i rregullt. Veprim i rregullt. Sjellje e rregullt. Zgjedhje të rregullta. Gol i rregullt.
  • 5. Që ndjek rregullisht një shkollë, një punë a një veprimtari tjetër; që vepron pa ndërprerje e rregullisht sipas një programi të caktuar (për shkollën etj.). Nxënës (student) i rregullt nxënës (student) që ndjek në rregull mësimet ditën në një shkollë (për ta dalluar nga nxënësit ose studentët me korrespondencë, nga ata të mbrëmjes etj.). Dëgjues i rregullt i radios. Anëtar i rregullt. Ka bërë shkollë të rregullt. Punë e rregullt punë jo e përkohshme.
  • 6. Që është i përpiktë, i saktë, që e bën me rregull e pa mungesa një punë, që i kryen në rregull të gjitha detyrat, që i pëlqen rregulli në punë e në jetë, që e do rregullin; kund. i çrregullt. Njeri i rregullt. Grua e rregullt. Punëtor i rregullt. Nxënës i rregullt. Është i rregullt në punë.
  • 7. usht. Që është e ndërtuar dhe që vepron sipas rregullave të përcaktuara, duke u stërvitur në mënyrë të vazhdueshme sipas një programi (për ushtrinë). Ushtri e rregullt. Trupa të rregullta.
  • 8. Që punon a shërben në ditë a orë të caktuara dhe që ndjek një rrugë të caktuar, që punon rregullisht dhe jo herë po e herë jo, që nuk është i rastit. Tren (autobus) i rregullt. Vijë (linjë) ajrore e rregullt. Shërbim i rregullt.
  • 9. gjeom. Që i ka të gjitha këndet dhe brinjët të barabarta ndërmjet tyre (për shumëkëndëshat). Pesëkëndësh i rregullt. Figurë e rregullt.
  • 10. gjuh. Që i ndryshojnë trajtat sipas disa rregullave të caktuara pa përjashtime, që ndërtohet sipas një tipi të caktuar; kund. i parregullt. Folje e rregullt. Trajtë e rregullt.