RRETHOJ kal.

  • 1. Vë a ngre rreth e përqark një vendi një mur, një gardh etj. për ta veçuar a për ta mbrojtur; i vë përreth diçka. Rrethoj oborrin (arën, shtëpinë). Rrethoj me mur (me gardh, me pemë).
  • 2. Përqendroj trupa ushtarake përreth një qendre të banuar a një ushtrie kundërshtare për ta detyruar të dorëzohet; i marr krahët një ushtrie duke i mbyllur rrethin; kund. çrrethoj. Rrethuan qytetin (kështjellën). Rrethuan kalorësinë. E rrethoi me ushtri (me tanke).
  • 3. Zë shtigjet nga të gjitha anët e një vendi për të kapur atë që është brenda. I rrethuan shtëpinë. E rrethoi në të katër anët. Rrethuan gjahun (peshkun).
  • 4. Zë vend me të tjerë përreth dikujt a diçkaje, mblidhet rreth dikujt; e vë në mes, qarkoj. Nxënësit e rrethuan mësuesin. Ushtarët e rrethuan komandantin. E rrethuan shokët. E rrethuan zjarrin (vatrën, sofrën).
  • 5. fig. Tregoj në mënyrë të vazhdueshme kundrejt dikujt një ndjenjë a një kujdes të veçantë; i krijoj kushte të caktuara përreth. E rrethoi me të gjitha të mirat.
  • 6. vet. veta III edhe fig. Ndodhet përreth dikujt a diçkaje; është përqark dikujt a diçkaje në një marrëdhënie të caktuar; e mbështjell, e qarkon. Bota që na rrethon. Vendet që e rrethojnë. Njerëzit që e rrethojnë. E rrethon një fshehtësi e madhe.
  • 7. I vë rrathë (fuçisë etj.). Rrethoj fuçinë (bucelën).