Shqip redaktoni

Emër redaktoni

rreze f.

  1. Fill i hollë e i drejtë drite, që del nga një burim ose nga një send tjetër i ndritshëm. Rreze të arta. Rrezet e diellit (e hënës). Rrezet e dritës. Tufë rrezesh. Pasqyrimi i rrezeve. Lëshon (nxjerr) rreze. Ra një rreze. Përhapen (thyhen, përthyhen) rrezet.
  2. fig. Shfaqje e shpejtë e një ndjenje të mirë ose e një dukurie, që ngjall gëzim, shpresë, besim etj. Rreze gëzimi (shprese). Rreze e së vërtetës.
  3. kryes. fiz. Tufë grimcash ose valësh elektromagnetike që dalin nga një trup e përhapen në një drejtim të caktuar; rrezatim. Rreze të padukshme. Rreze ultravjollcë. Rreze rëntgen (rreze X). Rreze radioaktive (alfa, beta, gama). Rreze kozmike. Sëmundja e rrezes sëmundje që shkaktohet nga veprimi i rrezatimit mbi organizmin e gjallë. Bëj (marr) rreze. bised. Mjekohem me rrezatim.
  4. gjeom. Vija e drejtë që lidh qendrën e një rrethi me një pikë çfarëdo të periferisë së tij, gjysma e diametrit të një rrethi; gjatësia e kësaj vije. Rrezja e një rrethi. Gjatësia e rrezes. Mat rrezen. Heq një rreze.
  5. Secili nga drurët që shtrëngojnë gavejtë e rrotës së qerres te bucela, spice. Rrezet e qerres. Iu thye një rreze. I vuri një rreze të re.
  6. Vijë që del nga një qendër së bashku me të tjera rreth e rrotull kësaj; diçka që ka këtë trajtë. Qëndismë me rreze. I vë në trajtë rrezesh.
  7. fig. Rrethi brenda të cilit ushtron veprimtarinë e vet dikush ose vepron a përhapet diçka, fusha e veprimit a e përhapjes; caku që arrin dikush a diçka duke u nisur nga një pikë si qendër. Rrezja e veprimit (e përdorimit). Rrezja e detyrimit shkollor. Brenda (jashtë) rrezes së... Me rreze të gjatë (të mesme, të shkurtër) veprimi. E zgjeroi (e shtriu) rrezen e kontrollit. Ia ngushtoi rrezen. Hyn në rrezen e gjuajtësit.
  8. Përqindja e pjesës së dobishme e me cilësi të mirë të një prodhimi (me prejardhje nga bimët ose nga kafshët) kundrejt tërësisë që merret në fillim. Rreze e lartë (e ulët). Rrezja e bukës (e miellit, e niseshtesë). Rrezja e mishit. Rrezja e vajit (e sheqerit). Rrezja e leshit (e pambukut). Rrit (ul) rrezen. Jep rrezen e parashikuar.
  9. zool. Secila nga pjesët e forta, që përbëjnë skeletin e pendëve të peshqve. Rrezja e parë (e fundit). Rreze të forta (të buta). Rrezet e pendëve kurrizore (të barkut).
  10. bised. Briri i një kafshe. Rrezet e dhisë. I ka rrezet përpjetë.
  • 11. bised. Shullë. Rrinë (piqen) në një rreze. E qitën bagëtinë në një rreze.
  • Ka rreze (është me rreze) është shumë i bukur, ka pamje shumë të hijshme; shkëlqen. Si rrezja e diellit shumë i shndritshëm, i shkëlqyer; shumë i bukur.