RRJEDHË f.

  • 1. Lëvizje e vazhdueshme e ujit të lumenjve e të përrenjve; rrymë uji që rrjedh në një shtrat. Rrjedhë e shpejtë ( e rrëmbyer). Rrjedha e lumit (e përroit). Shpejtësia e rrjedhës. Ka rrjedhë të fortë. Noton (lundron) gjatë (kundër) rrjedhës. E mori rrjedha. Në drejtim të rrjedhës. E ndaloi rrjedhën.
  • 2. Shtrati i një lumi; vendi ku rrjedh një lumë, viset ku kalon një lumë. Rrjedha e sipërme (e mesme, e poshtme). Gjatë rrjedhës së Drinit. Ndërroi rrjedhë. Doli nga rrjedha.
  • 3. fig. Vazhdim i pandërprerë i kohës a i ngjarjeve; shtjellimi i dukurive në kohë; mënyra sesi zhvillohet një ngjarje, një veprimtari a një dukuri; rrymë; ecuri. Rrjedha e zakonshme. Rrjedha e viteve (e kohës, e shekujve). Rrjedha e jetës. Rrjedha e historisë. Rrjedha e luftës (e betejës). Në rrjedhën e kohës. Ndjek rrjedhën e ngjarjeve. Merr një rrjedhë. Vijon rrjedhën e saj. Në rrjedhë të... gjatë, në kohën e ...
  • 4. fig. Burim, zanafillë. Rrjedha e dobësive (e të metave). E ka rrjedhën te ...
  • 5. fig. Grumbull njerëzish, që ecin shpejt si rrymë a që derdhen si një masë e ngjeshur. Rrjedha e njerëzve.
  • 6. Copë e lehtë druri a tape, që vihet në buzët e sipërme të rrjetës së peshkimit që kjo të mos fundoset në ujë.
  • E ka marrë rrjedha dikë a diçka po shkon gjithnjë keq e më keq, e ka marrë rryma, ka marrë të tatëpjetën.