rrudh
RRUDH kal.
- 1. E bëj me rrudha lëkurën e fytyrës, të dorës etj.; kund. çrrudh. Rrudh ballin. Rrudh vetullat. Rrudh fytyrën. Rrudh sytë mbledh kapakët e syve, picërroj sytë.
- 2. Ia bëj sipërfaqen me vija a me pala të çrregullta, të ulura e të ngjitura; e bëj me rrudha, e zhubros. Rrudh pantallonat (kostumin, këmishën). Rrudh rrobat (çarçafët). Sipërfaqen e ujit e rrudhte era.
- 3. vet. veta III. Bën të mblidhet cipa e gojës dhe e gjuhës duke shkaktuar një ndijim të athët e shtrëngues (për pemët e pabëra, për disa pije e ushqime të athëta a të hidhura etj.). Të rrudh gojën (gjuhën).
- 4. fig. I zvogëloj përmasat a i pakësoj forcën e shfaqjes; ndrydh; ngushtoj. I rrudh mundësitë. I rrudh guximin (hovin). I rrudh dëshirat. Ia rrudh kuptimin.
- Rrudh buzët (hundët, turinjtë) lëviz buzët (shtrembëroj fytyrën) për të shprehur pakënaqësi, mospërfillje a përbuzje për diçka. E rrudhi (e shtrëngoi) dorën shih te SHTRËNGOJ. E rrudhi gojën e mbajti veten që të mos thotë fjalë të rënda a të pahijshme, matet mirë kur flet, e mbajti gojën. Rrudhi (mblodhi) krahët (supet) mblodhi krahët për të treguar se nuk e di a nuk e kupton diçka. Rrudhi (ngrysi, mblodhi) vetullat (ballin) u vrenjt në fytyrë, u ngrys. Ia rrudhi penjtë dikujt nuk e la të vepronte si të donte, ia mblodhi rripat. Ia rrudhi zemrën dikujt e bëri të humbiste shpresat; e pezmatoi.