SERIOZ mb.

  • 1. Që vepron e sillet në mënyrë të matur, duke i menduar dhe vlerësuar gjërat mirë; që e njeh mirë punën e vet, e kryen me ndërgjegje e me ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe është kërkues ndaj vetes e ndaj të tjerëve; që nuk është mendjelehtë. Njeri serioz në punë (në shoqëri). Studiues serioz. Nxënës serioz.
  • 2. Që bëhet a thuhet me kujdes e me përgjegjësi, duke e menduar mirë e si duhet; që bëhet a thuhet me gjithë mend; që është i vërtetë, i qëndrueshëm e i thellë, jo i cekët. Fjalë serioze. Mendim serioz. Punë serioze. Qëndrim serioz ndaj punës (ndaj detyrave). Dashuri serioze.
  • 3. Që ka një rëndësi të veçantë, që nuk është bërë sa për të kaluar radhën ose me të qeshur, i mbështetur, me përmbajtje të thellë e të pasur, jo i lehtë. Vepër serioze. Libër serioz. Bisedë serioze. Këshilla serioze. Opera serioze. muz. opera pa skena komike, me përmbajtje zakonisht tragjike. Muzikë serioze muzikë klasike.
  • 4. Që është i rëndë a që mund të ketë pasoja të dëmshme e të rrezikshme, që është mjaft shqetësues; që është mjaft i madh për ta përballuar e për ta kapërcyer. Gabim serioz. Të meta serioze. Sëmundje serioze. Gjendje serioze. Pengesa (vështirësi) serioze. Paralajmërim serioz. Kërcënim serioz për lirinë e pavarësinë e popujve.
  • 5. Që nuk i qesh fytyra, që ka pamje të menduar ose të vrenjtur nga një kujdes, një shqetësim etj.; që nuk pranon shaka, hijerëndë, i vrenjtur; kund. i qeshur. Me pamje serioze. Rri serioz.
  • 6. Që shpreh qortim a pakënaqësi për diçka, i rreptë. Shikim serioz. Ton serioz.
  • 7. Që e ruan nderin vetjak dhe nuk luan në marrëdhëniet me të tjerët; që është në përputhje të plotë me normat morale; kund. mendjelehtë. Vajzë serioze. Djalë serioz. Qëndrim serioz.