SHKËMBEJ kal.

  • 1. I jap dikujt një gjë që kam dhe marr prej tij një gjë tjetër, zakonisht me po atë vlerë, bëj këmbim, këmbej, ndërroj; lë diçka e marr diçka tjetër me vlerë të barabartë; i dërgoj dikujt letra, pako etj. dhe ai më dërgon gjithashtu të tilla. Shkëmbyen fasulet me grurë. Shkëmbejnë pulla. Shkëmbyen fanellat (pas mbarimit të ndeshjes). Shkëmbyen flamurët. Shkëmbyen tufa me lule (distinktivët). Shkëmbyen adresat. Shkëmbyen mbretëreshat (ushtarët... -në lojën e shahut). Shkëmbej paratë (të hollat). fin. jap një shumë parash për të marrë një shumë tjetër me po atë vlerë, por në një monedhë tjetër. Shkëmbejnë letra. Shkëmbyen nota. dipl. Shkëmbyen përfaqësues diplomatikë. dipl. Shkëmbyen robërit (të plagosurit). Shkëmbyen unazat (sipas zakoneve të fejesës).
  • 2. Zëvendësoj një pjesë të përdorur a të dëmtuar të një mekanizmi me një pjesë tjetër të re, këmbej.
  • 3. I përgjigjem një veprimi të dikujt duke bërë të njëjtën gjë; i jap përvojën time dikujt e ai më jep të tijën; këmbej. Shkëmbyen zjarr. usht. Shkëmbyen vështrime (buzëqeshje). Shkëmbyen vizita. Shkëmbyen fjalime. Shkëmbyen dy fjalë me këmbë. Shkëmbyen mendime. Shkëmbyen përvojën.
  • 4. fig. E ndryshoj, e bëj të ndryshëm, ndërroj. Shkëmbeu fytyrën.
  • 5. E marr gabimisht dikë për një tjetër, e ngatërroj. I shkëmbej gjithnjë ata dy vëllezër.
  • Shkëmbeu (këmbeu, ndërroi, bëri) fjalë me dikë shih te FJAL/Ë,~A. Shkëmbeu hiçin me pluhur shih te PLUHUR,~I.