SHKRIM m.

  • 1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve SHKRUAJ, SHKRUHEM. Shkrimi i numrave. Shkrimi i gjuhës shqipe. Bojë (letër) shkrimi. Makinë shkrimi. Fletore shkrimi.
  • 2. Paraqitja e ligjërimit të folur me anë shenjash të posaçme grafike; diçka që është paraqitur me shenja të tilla. Shkrim shkronjor (alfabetik). Shkrim fonetik (rrokjesor). Shkrim hieroglifik. Leximi i shkrimeve të vjetra. Kur ka dalë shkrimi? E kërkoi me shkrim.
  • 3. Aftësia për të shkruar, zotërimi i shprehive për të shkruar një gjuhë të caktuar; mësimi i këtyre shprehive në shkollë; bised. shkollë, arsim. Njeri me shkrim. Ka mësuar (di) shkrim e këndim. E di një gjuhë me shkrim.
  • 4. Sistemi i shenjave grafike që përdoren për të shkruar një gjuhë të caktuar, alfabet; përdorimi praktik i këtij sistemi; mënyra vetjake si i shkruajmë këto shkronja; tipi i shkronjave që përdorim. Shkrim i drejtë (i pjerrët). Shkrim gotik (i rrumbullakët). Shkrim i bukur (i keq, i qartë, i lexueshëm, i pakuptueshëm, i palexueshëm). Shkrimi i dorës (i shtypit). Lufta për përhapjen e shkrimit shqip. Ia njoh shkrimin.
  • 5. Vepër e shkruar (artikull, vepër letrare, publicistike, shkencore etj.). Shkrimet shqipe. Shkrim tërheqës. Shkrime të botuara (të pabotuara, të panjohura). Shkrim për gazetën.
  • Shkrimi i shenjtë fet. «Dhiata e re» dhe «Dhiata e vjetër», bibla.