SHPEJTËSI f.

  • 1. Të qenët i shpejtë në lëvizje, në punë a në veprime, vetia e atij që është i shpejtë; denduria me të cilën zhvillohet a përsëritet një veprim; kund. ngadalësi. Shpejtësi e madhe (e vogël). Shpejtësia e trenit (e vaporit, e aeroplanit). Shpejtësia e erës (e rrjedhjes së lumit). Shpejtësia e lëvizjeve (e rrotullimeve). Shpejtësia e qitjes. Shpejtësia e frymëmarrjes (e pulsit). Me shpejtësi rrufeje. Kufizim shpejtësie. Shtoj (rrit, pakësoj, zvogëloj) shpejtësinë. Mori shpejtësi. Ecën me shpejtësi. U mblodhën (u shpërndanë) me shpejtësi.
  • 2. fiz. Raporti ndërmjet një largësie dhe kohës që duhet për ta përshkuar atë me lëvizje të njëtrajtshme. Shpejtësia mesatare. Shpejtësia fillestare. Shpejtësia e parë e dytë dhe e tretë kozmike shpejtësia e barabartë përkatësisht me 7,9, me 11,2 dhe me 16,7 kilometra në sekondë. Shpejtësia e dritës (e zërit, e tingullit). Shpejtësia e predhës (e raketës). Shpejtësia e përhapjes së valës. Shpejtësia e elektroneve. Mat (gjej) shpejtësinë.
  • 3. tek. Raporti ndërmjet rrotullimeve të boshtit të motorit të një automobili dhe rrotullimeve të rrotave, që rregullohet me anë të një mekanizmi të posaçëm. Shpejtësia e parë (e dytë, e tretë, e katërt). Kutia e shpejtësisë. Ndërroj shpejtësinë.