siç
SIÇ lidh.
- 1. Përdoret për të lidhur një fjali të varur krahasore ose mënyrore me fjalinë drejtuese (shpesh e bashkëlidhur në fjalinë drejtuese edhe me fjalën «ashtu»); si. Bënte siç bëjnë fëmijët e vegjël. Ecte ashtu siç ecin të çalët. U bë siç e deshi ai. Siç e kërkoi, e gjeti.
- 2. Përdoret për të lidhur fjali a gjymtyrë fjalie, që sqarojnë a zbërthejnë kuptimin e një fjalie ose të një gjymtyre tjetër, ose në një numërim a renditje. Disa dukuri, siç janë: ftohja, ngrirja etj.
- 3. Përdoret në krye të një fjalie të ndërmjetme; si. Siç dihet. Siç na kanë njoftuar. Siç thuhet, do të ndërtohet shpejt.