SIKUR

I. lidh.

  • 1. Përdoret për të lidhur një fjali të varur krahasore-mënyrore, që shpreh një krahasim të përafërt. Bënte sikur flinte. Fliste me zor, sikur të ishte i sëmurë. Bën sikur s'di. Shtirej sikur nuk e shihte.
  • 2. Përdoret në krye të një fjalie të varur, që shpreh një veprim me dyshim ose me hamendje. Ndjeu sikur e kapi dikush. Iu duk sikur u hap dera. Iu bë sikur u rrëzua.
  • 3. Përdoret për të lidhur një fjali të varur kushtore, në të cilën shprehet një kusht i mundshëm, që dëshirohet ose që nuk ka të ngjarë të plotësohet; në qoftë se, po. Sikur të mos e kishin parë... Sikur të vinin edhe ata! Ah, sikur të isha atje! Sa mirë, sikur të ishim bashkë! Po sikur?
  • 4. bised. Siç, sikurse. Sikur the ti më parë.

II. pj.

  • Përdoret për t'i dhënë fjalisë një ngjyrim dyshimi, mosbesimi, pasigurie etj. Sikur nuk u kënaq. Sikur di gjë ai! Sikur po vjen. Sikur nuk e ke parë ndonjëherë!
  • Edhe sikur përdoret për të lidhur një fjali të varur lejore me fjalinë kryesore në kuptimin «edhe po të ..., edhe në qoftë se ... » (p.sh. Edhe sikur të vonohet, do ta presim. Edhe sikur të bjerë shi, do të dalim të punojmë).