SYTH m.

  • 1. bot. Bulë në majë a në anë të degës së drurit, nga e cila shpërthejnë gjethet dhe rriten bisqe të reja; mugull. Sytha anësorë. Syth i fjetur syth që nuk zhvillohet. Shartojnë me sytha. Nxjerrin sytha pemët në pranverë.
  • 2. Secili lak i vogël që bën filli në rreshtin e diçkaje të thurur me shtiza; syçkë, gojëz e çorapit, e trikos etj.; çdo vrimë e rrjetës së thurur, aty ku bën lak filli, lakth; rreth i vogël që bëhet duke e lakuar litarin për ta shtrënguar, laku i litarit. Bëri dy sytha. I ikin dy sytha. Kapi sythin. Sythat e rrjetës. Sythi i kapistrës (i kapistallit).
  • 3. Ilik në cepin e jakës së xhaketës. Me një lule në syth.
  • 4. Secila nga vrimat e rripit, që shërbejnë për të futur kunjin e tokëzës. Liroi (shtrëngoi) dy sytha të rripit.
  • 5. Vrimë e vogël në derë për të shikuar jashtë që nga brenda pa u dukur. Syth me xham të posaçëm. Shikon nga vrima e sythit.
  • 6. Secila nga dy pjesët e hejbeve. Sythat e hejbeve. Mbushi plot të dy sythat.
  • 7. Sirtar tryeze etj., syzë. E nxori nga sythi.
  • 8. Pjesë e një kapitulli të një vepre, që trajton një çështje të veçantë dhe ka nëntitull të shënuar në anë të faqes së librit; shënim për një çështje të veçantë që botohet zakonisht në gjysmën e shtyllës anësore të një gazete. Është trajtuar në një syth të veçantë.
  • 9. fig. Diçka e rrumbullakët a në trajtë kokrrize që del në sipërfaqe; flluskë e vogël, sumbull, bulë. Sytha gjalpi (lyre).
  • 10. përd. ndajf. Sikur e kam parë me sy, me siguri, pa asnjë dyshim. E di syth.

SYTH kal.

  • Bëj dhe shtrëngoj një lak; i bëj shtrënguar një syth. I sythi kapistrën kalit i shtrëngoi kapistrën në turi kalit.