TËRË pakuf.

  • 1. Që është në tërësinë e tij, pa i hequr a pa i përjashtuar asnjë pjesë, pa lënë jashtë asgjë, i gjithë, i plotë, jo i pjesshëm. Tërë bota (vendi, krahina, fshati, lagjja). Tërë shkolla. Tërë njerëzit (populli, shokët, nxënësit). Tërë ditën (natën, javën, muajin, vitin). Tërë kohën. Tërë jetën. Tërë atë ditë (atë natë, atë kohë). I thirri tërë miqtë. E kam me tërë mend. E hëngri tërë bukën (gjellën). E piu tërë gotën (qumështin, ujin). E shtyu me tërë fuqinë.
  • 2. Përdoret pranë një përemri dëftor për të treguar shkallën më të lartë të një tipari; gjithë. Tërë ajo punë. Tërë ai gëzim. Tërë ato të mira.
  • 3. përd. ndajf. Përdoret në trajtën e pashquar të një emri në kuptimin «krejt, plot; gjithë». Erdhi tërë gëzim (tërë qejf). Ishte tërë inat. Vendi ishte tërë bar (lule). Mishi ishte tërë kocka (dhjamë). E kishte fytyrën tërë preka. Ishte bërë tërë gjak (baltë, djersë).
  • 4. përd. pj. Krejt, njësoj si dikush tjetër nga vetitë fizike a morale; gjallë, gjithë, Ishte tërë i ati (i vëllai). Ishte tërë e ëma (e motra).
  • Me tërë forcën (me forcë) shih te FORC/Ë,~A. Me tërë (me plot) kuptimin e fjalës shih te FJAL/Ë,~A. E ka me tërë (me gjithë) mend shih te MEND,~TË. Tërë (gjithë) sy e veshë shih te SY,~RI.

TËRË f.

  • 1. filoz. Kategori filozofike që pranon bashkësinë e sendeve e të dukurive, të cilat janë në lidhje të ngushtë e të qëndrueshme ose që pranon njësinë e dukurive gjatë zhvillimit nga një shkallë në tjetrën. Pjesa dhe e tëra. Nga e pjesshmja tek e tëra. Bota është një e tërë organike.
  • 2. Diçka e plotë, diçka e tërë dhe e pandarë, tërësi. E hoqi (e shkëputi, e ndau) nga e tëra. E ndau të tërën në katër pjesë. Një e tërë ka dy gjysma.

TËRË mb.

  • 1. Që merret i plotë e i pandarë, që përbën një tërësi të pandarë, jo i pjesshëm; që është në tërësinë e tij, pa i hequr a pa i përjashtuar asnjë pjesë, pa lënë jashtë asnjë; i gjithë. Numër i tërë. Njësi e tërë. Shumë e tërë. Bota e tërë. Fshati i tërë. E tërë toka (krahina, ara, fusha). Një ditë (një javë, një muaj) të tërë. Me vite të tëra. Erdhën të tërë. Të tërë janë gati.
  • 2. përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit. U prish i tërë. U ngrit i tëri në këmbë. Populli votoi i tëri. U përqendrua e tëra. Shfrytëzohet e tëra.
  • Mbaroi me të tëra humbi gjithçka, nuk i mbeti asgjë, mori fund.