tekst
tekst m.
- 1. Fjalë a fjali të një vepre, të një dokumenti etj., të shkruara ose të shtypura; përmbajtja e shkruar ose e shtypur e një vepre, e një dokumenti, e një akti etj.; thënie e dikujt, e shkruar ose e shtypur; libër, letër etj. ku janë shkruar ose janë shtypur këto fjalë a fjali, kjo përmbajtje etj. Teksti i dramës (i përrallës, i tregimit). Teksti i urdhrit (i betimit). Sipas tekstit. Jashtë tekstit. Ndryshoj (shkruaj, diktoj, përsërit, mësoj) tekstin. Miratuan tekstin e letrës (e telegramit).
- 2. Materiale të shkruara ose të shtypura për studimin e diçkaje, lëndë mësimore e shkruar ose e shtypur në një libër a në një dispensë; pjesë të shkëputura nga një ose nga disa vepra letrare të shtypura së bashku për qëllime mësimore; libër, dispensë, përmbledhje etj. që përmban këto materiale. Tekst mësimor. Tekste të reja. Teksti bazë. Teksti i kimisë (i fizikës, i gjeologjisë, i botanikës). Libraria e teksteve shkollore. Përpunoj (përmirësoj, hartoj) tekstin. Bleu tekstet. I pajisën me tekste.
- 3. Pjesë e një materiali të shkruar ose të shtypur pa shënimet e shpjegimet për të, pjesë e një libri pa parathënien ose pasthënien, pa titujt e kapitujve etj. Teksti dhe fotografitë (ilustrimet, skicat). Tekst me shënime (me shpjegime). Thuhet (përmendet) brenda në tekst.
- 4. Fjalët e një vepre muzikore, të një kënge etj. Teksti i këngës. Teksti i operës. Teksti është shkruar nga...