TYRE pron. gjin., dhan., rrjedh. TYRE (të), TYRE (e), (me emra të pashquar: të TYRE).

  • 1. Që u përket atyre, pronari i së cilës janë ata, që e kanë ata. Shtëpia (dhoma) e tyre. Kopshti i tyre.
  • 2. Që ka të bëjë me ata, që ka lidhje të ngushta, lidhje gjaku, lidhje farefisnie a ndonjë lidhje tjetër me ata. Nëna (motra, vajza, gjyshja) e tyre. Babai (vëllai, djali) i tyre. Shoqja (fqinja) e tyre. Mësuesi i tyre.
  • 3. Të cilit i përkasin edhe ata pjesëtarë e anëtarë të të cilit janë edhe ata, në të cilën bëjnë pjesë edhe ata; që i përket vendit të atyre; që e drejtojnë ata, në krye të të cilit janë ata. Fabrika (shkolla, klasa, lagjja) e tyre. Instituti (fakulteti, universiteti) i tyre. Divizioni i tyre. Letërsia e tyre.
  • 4. Që është përgatitur a është hartuar nga ata, që e kanë bërë ose e bëjnë ata, që del a krijohet së pari nga ata; që merret a që prodhohet në vendin e atyre; që e ushtrojnë ata. Vepra (ideja) e tyre. Puna e tyre. Detyra e tyre. Malli i tyre.
  • 5. Që e kanë ata, që është tek ata, që u përket atyre, që i karakterizon ata; që lidhet me ta, që është a që bëhet për ata. Sjellja (aftësia) e tyre. Bindjet e tyre. Me forcat e tyre. Mendimi (qëllimi) i tyre. Veprimtaria e tyre. Për të mirën e tyre.
  • 6. Që e pëlqejnë më shumë ata, që e duan më shumë se të tjerët. Kënga e tyre. Sporti i tyre më i dashur.
  • 7. si. em. m. TYRI (i), f. TYRJA (e), TYRET (të). Një i afërt, me të cilin kanë lidhje gjaku, lidhje farefisnie ose lidhje të ngushta miqësie: ai me të cilin i bashkojnë të njëjtat synime, pikëpamje etj., ai të cilin e duan dhe të cilit i besojnë shumë. Një i tyri. Një nga të tyret. Është i tyri. Fituan të tyret.
  • 8. përd. em. sipas kuptimeve 1-6 të përemrit pronor.
  • Do të bëjnë të tyren do të bëjnë gjithçka që kanë mundësi të bëjnë, do të bëjnë atë që u takon atyre ose atë që duan ata.