VËREJTJE f.

  • 1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve VËREJ, VËREHEM.
  • 2. Vështrim i kujdesshëm e i ngulur për një kohë të gjatë te dikush a te diçka; vëmendje, kujdes i përqendruar. E pa me vërejtje. Na tërhoqi vërejtjen na ra në sy, na tërhoqi vëmendjen; na bëri përshtypje.
  • 3. Përfundim i përgjithshëm a i veçantë kritik që nxirret gjatë shqyrtimit a studimit të diçkaje dhe që i jepet dikujt, zakonisht për të bërë ndonjë ndreqje a rregullim; mendim kritik i shprehur me ndonjë shënim anash në një tekst të shkruar ose i shprehur me gojë në një mbledhje etj. Vërejtje e drejtë. Vërejtjet e popullit. Vërejtjet e kritikëve. Vërejtje me vend. Kam vërejtje. Bëri një vërejtje. Marr parasysh vërejtjet.
  • 4. Këshillë a udhëzim që i jepet dikujt për t'i ndrequr një të metë a një gabim, qortim; masë disiplinore (me gojë ose me shkrim) që merret ndaj dikujt për të meta e gabime në punë ose për sjellje e veprime jo të mira. Vërejtje e lehtë (e rëndë). Vërejtje me paralajmërim. Vërejtje me shënim në biografi. I hoqi (i tërhoqi) vërejtje e qortoi.
  • Nën vërejtje përkohësisht në gjendje arresti, nën vëzhgim të veçantë.