vegël f.

  1. Mjet i thjeshtë a përdorëse që shërben për të bërë një punë ose për të kryer një veprim; në disa përdorëse që së bashku shërbejnë për të bërë diçka. Vegla bujqësore. Vegla prerëse. Vegla sportive (gjimnastikore, mësimore). Veglat e punës. edhe ek. Veglat e prodhimit. ek. pjesa themelore e mjeteve të prodhimit, ku hyjnë zakonisht mjetet mekanike të punës (makinat, pajisjet, aparaturat etj.), të cilat njeriu i përdor në procesin e prodhimit të të mirave materiale. Veglat e rrojes. Veglat e gjahut (e peshkimit). Trasta e veglave. Reparti i veglave. Gjimnastikë në vegla.
  2. Pjesë e një pajisjeje, e një mjeti, e një mekanizmi a e një makine. Veglat e mullirit. Veglat e parmendës. Veglat e këmbimit. Iu prish motorit një vegël.
  3. Mjet me përbërje e me trajta të ndryshme, me tela, me pipëz, me tastierë etj., me të cilin luajmë këngë e pjesë muzikore. Veglat muzikore. Vegël frymore (fryme). Vegël me tela. U bie disa veglave.
  4. Avlëmend, vegjë. Punon (end) në vegël.
  5. fig. keq. Njeri që vihet në shërbim të dikujt dhe bën punën e tij, njeri a grup njerëzish, që i shërben dikujt si mashë për të arritur qëllime të caktuara; ai që i shërben verbërisht dikujt, shërbëtor. Vegël e verbër (qorre). Vegël e ndyrë. Vegël politike. Vegël e imperializmit. Vegël e armikut (e reaksionit). Vegël agresioni. Është bërë vegël e të tjerëve. Shërbente si vegël. E përdorte si vegël.
  6. bised. Organ i brendshëm i njeriut, që kryen një punë të caktuar. Veglat e brendshme. Veglat tretëse.
  7. krahin. Veshi i një ene, vjegë.
  • Ia gjeti veglën diçkaje ia gjeti anën, ia gjeti mjetin. I vuri vegël diçkaje i shtoi diçka që nuk e ka, i vuri a i ngjiti një bisht.