vezë
VEZË f.
- 1. Kokërr me madhësi të ndryshme, e rrumbullakët e pak e zgjatur, me një cipë të hollë a me një lëvozhgë të fortë, që e pjellin femrat e shpendëve dhe të disa kafshëve të vogla, disa kandrra etj. Vezë e re (e prishur). Vezë e zier (e rrahur, rrufkë). Vezë syze vezë e skuqur pa e rrahur, duke ia ruajtur të verdhën të paprishur. Vezë pule (rose, pate). Vezë pëllumbi. Vezë peshku. Vezë gjarpri. Vezët e breshkës. Vezët e fluturave (e mizave). Vezë me dy të verdha. E bardha (e verdha) e vezës. Lëvozhga e vezës. Rrahëse vezësh. Bën (pjell) vezë. Lëshon vezët. Ngroh vezët. Rrahu (skuqi) dy vezë.
- 2. biol. Qelizë femërore seksuale e një qenieje, prej së cilës zhvillohet një organizëm i ri. Vezët e gruas. Në fazën e vezës. I janë tharë vezët nuk pjell më.
- 3. Diçka që ka trajtë të rrumbullakët a si të zgjatur.
- Që në vezë që në fillim, që në çastin kur sapo ka nisur të rritet e të zhvillohet. Ecën si mbi vezë ecën ngadalë e me shumë kujdes, ecën me ngathtësi të madhe. Jam (rri) si mbi (në) vezë (gjemba, ferra) shih te GJEMB,~I Ngroh vezët shih te NGROH. Sikur shkel mbi vezë (mbi gjemba) shih te GJEMB,~I. E shtrëngoi veza ka nevojë të ngutshme, ka hall që s'pret, është shumë ngushtë. Si veza në kulaç i rrethuar me të gjitha të mirat, si veshka në mes të dhjamit. Vezë kllukë shih te KLLUK/Ë,~A. Vezë e prishur shih te PRISHUR (i, e). Vezë e qëruar shih te QËRUAR (i, e). Si vezët (si zogjtë) e qyqes shih te QYQ/E,~JA. Vezë me dy të verdha (me dy të kuq) diçka që ndodh rrallë, gjë e rrallë. I bën (edhe) gjeli vezë shih te GJEL,~I. E bën vezën deve shih te DEVE,~JA. S'ka dalë ende nga veza (nga lëvozhga e vezës) mospërf. është i ri ende, s'di nga jeta, është i papërvojë. Fol e rruaj vezë shih te RRUAJ. Gjeti vezët e thëllëzës shih te THËLLËZ/Ë,~A. Të jep vezë pa të verdhë (pa të kuq) është shumë i shkathët, është shumë dinak e i djallëzuar dhe ta hedh kur të duash. Kërkon (gjurmon, lyp) qimen në vezë shih te QIM/E,~JA. Mban vezë në tundës ruan çdo gjë; është kursimtar dhe shumë i kujdesshëm. Është mësuar me vezë në tigan shih tek TIGAN,~I. Ngarkon vezë në lak shih te LAK,~U. I ka ngecur veza kryq ka një hall të madh që s'po e zgjidh dot, i ka ngecur sharra në gozhdë. Përpiqej (bënte) si veza (si zorra) në prush shih te PRUSH,~I. S'rri gjeli mbi vezë shih te GJEL,~I. Shikon (gjen) qimen në vezë (në të bardhën e vezës) përpiqet t'i gjejë dikujt me çdo kusht një të metë sado të vogël. I erdhi veza për të pjellë thjeshtligj.
- a) e ndien veten shumë ngushtë;
- b) është në çastin e fundit kur duhet të marrë një vendim a të kryej një punë. Të vjedh vezën nën klloçkë shih te KLLOÇK/Ë,~A. U bë veza të mësojë pulën! iron. i thuhet dikujt kur përpiqet t'i japë këshilla një tjetri që ka shumë më tepër përvojë. Bën si pula kur i vjen veza shih te PUL/Ë,~A. Shumë pula e pak vezë shih te PUL/Ë,~A. Vezët në shportë e shportën në dorë! fj.u. shih te SHPORT/Ë,~A. Ka ngordhur ajo pulë që bënte ato vezë shih te PUL/Ë,~A. Më mirë një vezë sot, se një pulë mot fj.u. më mirë diçka më të vogël në çastin e duhur, sesa një gjë më të madhe më vonë. Gjiri i vezëve anat. shih te GJI,~RI. Lule veze (veje) bot. shih te LUL/E,~JA.