yt
YT pron. (gjin., dhan., kallëz., rrjedh. TËND; para emrave të farefisnisë TËT) TU (e) (kur prona shënohet nga një emër i gjinisë mashkullore).
- 1. Që të përket ty, pronari i të cilit je ti, që e ke ti. Kostumi yt. Libri (lapsi) yt.
- 2. Që ka të bëjë me ty, që ka lidhje të ngushta, lidhje gjaku, lidhje farefisnie a ndonjë lidhje tjetër me ty. Babai (gjyshi, djali, vëllai) yt. Yt atë (yt bir, yt vëlla, yt kunat). Burri yt. Fqinjët e tu. Njerëzit e tu. Përkrahësit e tu. Miqtë (të ftuarit) e tu. Mësuesi yt.
- 3. Të cilit i përket edhe ti, pjesëtar a anëtar i të cilit je edhe ti, në të cilin bën pjesë edhe ti; që e drejton ti, në krye të të cilit je ti. Qyteti (fshati) yt. Vendi yt. Atdheu yt. Sektori (reparti) yt. Nxënësit (studentët) e tu. Brezi yt.
- 4. Që e ke ti, që është tek ti, që të përket ty; që të dallon a të karakterizon ty; që lidhet me ty, që është a që bëhet për ty. Trupi (krahu, syri) yt. Flokët e tu. Zëri yt. Vullneti yt. Zakoni yt. Nderi yt. Gëzimi yt. Sipas mendimit tënd. Në shërbimin tënd. Për të mirën tënde. Për hatrin tënd.
- 5. Që është përgatitur a është hartuar nga ti, që e ke bërë ose që e bën ti, që del a që krijohet së pari nga ti; që e ushtron ti. Tregimi (studimi) yt. Projekti (plani) yt. Profesioni (specialiteti) yt. Gabimi (faji) yt.
- 6. Që të pëlqen më shumë ty, që e do më shumë se të tjerët. Sporti yt. Vendi yt i përshtatshëm. Ushqimi yt më i mirë.
- 7. si em. YTI TUTË (të). Një i afërt, me të cilin ke lidhje gjaku, lidhje farefisnie ose lidhje të ngushta miqësie; njeri, me të cilin të bashkojnë të njëjtat synime, pikëpamje etj.; njeri, të cilin e do dhe të cilit i beson shumë. Është yti. Erdhën të tutë. Fituan të tutë.
- 8. Përd. em. sipas kuptimeve 1-6 të përemrit pronor.