ZBARDH kal.

  • 1. E bëj diçka krejt të bardhë, duke e lyer me gëlqere, me bojë të bardhë etj.; e mbuloj me diçka të bardhë, e vesh me një shtresë të bardhë; kund. nxij. Zbardh shtëpinë (muret, tavanin) me gëlqere. Dëbora e zbardhi vendin (malin, fushën). Zbardhi fytyrën me pudër. E zbardhën nusen e lyen nusen me pudër, me krem etj. për ta zbukuruar.
  • 2. E bëj të bardhë diçka, duke i hequr ngjyrën që ka pasur, çngjyros; e bëj diçka fare të bardhë, më të bardhë se ç'është; e pastroj, e laj (për rroba të bardha që janë fëlliqur). Zbardh pëlhurën (çarçafët, këmishën, leshin). Zbardh sheqerin. E ka zbardhur dielli.
  • 3. I heq shtresën e sipërme diçkaje dhe e bëj të ndritshme, duke e larë, duke e fërkuar etj.; zhvesh (misrin, orizin etj.). Zbardh argjendin. Zbardh misrin (orizin). Zdrukth për të zbardhur. Dhia e zbardhi pemën.
  • 4. E ndriçoj, i jap dritë, ndrit. Drita zbardhi majat. Llamba e zbardhi dhomën.
  • 5. I nxjerr thinjat dikujt, e thinj. E ka zbardhur pleqëria. Vitet ia zbardhën flokët. Hallet e zbardhën para kohe.
  • 6. fig. I jap nder e lavdi, e nderoj, e nxjerr faqebardhë; e ndrit; e bëj më të lumtur. Ia zbardhi faqen (fytyrën) babait (familjes, shkollës, ndërmarrjet). Na i zbardhën armët. I zbardhi jetën. Ajo e zbardhi atë shtëpi. Lëre, se e zbardhe! iron.
  • 7. Rishkruaj qartë e me kujdes diçka që e kam shkruar më përpara shpejt e shpejt, jo qartë e me korrigjime, hedh në të pastër. Ka dhjetë fletë për të zbardhur.
  • 8. jokal. vet. veta III. shih ZBARDHOJ 2. Zbardh dëbora (pambuku). Zbardhin malet. Zbardh shtëpia.
  • 9. jokal. vet. veta III. Agon, gdhin (edhe fig.). Zbardhi drita. Sapo zbardhi. Sa të zbardhë. Zbardhi dita e re. Nga lindja nisi të zbardhte.
  • Zbardh (hap, zbulon) dhëmbët keq. zgërdhihet; qesh me të tallur. Zbardhi sytë mospërf. vdiq.