Abdulla Mehmeti (Voka) u lind në Shipkovicë të Tetovës, më 2 janar 1962. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Gjimnazin e Tetovës. Arsimin e lartë e kreu në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Filologjisë - Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Njëkohësisht studioi me korrespodencë edhe në Fakultetin Juridik të po këtij Universiteti. Studimet pasuniversitare i ka ndjekur në Universitetin e Shkupit, për kulturologji në fushën e letërsisë.

Gjatë kohës së studimeve në Prishtinë, morri pjesë aktive në lëvizjen studentore dhe demonstratat e vitit 1981. Për bindjet e tij politike u dënua me burg dhe iu morën të gjitha të drejtat qytetare, për shkollim të mëtejmë, punësim dhe zhvillimin e veprimtarive publike.

Me fillimin e proceseve demokratike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në vitin 1990 bashkë me intelektualë të tjerë dhe ish të burgosur dhe të përndjekur për bindje politike, u angazhua në aksionin e madh popullor për Pajtimin e gjaqeve, kryesisht në fshatrat e Malësisë së Tetovës.

Në janar të vitit 1990 e përgatiti Programin dhe formoi Këshillin nismëtar për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, kuvendi themelues i së cilës u mbajt më 19 gusht 1990, në Shipkovicë të Tetovës. Pushteti i atëhershëm në Maqedoni, themelimin e kësaj organizate e luftoi me të gjitha format dhe mjetet, duke përdorur kërcënime dhe montime të proceseve gjyqësore për nismëtarët dhe aktivistët e kësaj organizate.

Në vitin 1991, në kuadër të Bashkësisë Kulturore Shqiptare e ngriti iniciativën për mbajtjen e Simpoziumit shkencor "Shqiptarët e Maqedonisë", i cili i zhvilloi punimet në Medresenë "Isa Beu", në Shkup, më 20, 21 dhe 22 dhjetor 1991. Kontributet shkencore të këtij Simpoziumi më vonë shërbyen si Platformë për zhvillimin e veprimtarisë politike, kulturore, arsimore dhe veprimtarive të të tjera shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, në përpjekjet e tyre për liri dhe barazi, si dhe për ndërtimin e një shoqërie të re demokratike.

Në dhjetor të vitit 1993 e përgatiti Platformën për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, e cila u përkrah nga Kryesia e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, në të cilën janë përfshirë strategjia dhe taktika e krijimit të këtij institucioni shumë të rëndësishëm për arsimimin në gjuhën amtare në nivel universitar të shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë. Pas një varg aktivitetesh disamujore, kjo ide u kurorëzua me sukses, me mbajtjen e Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994.

Gjatë viteve 1994 - 1998, ka iniciuar dhe organizuar me dhjetëra manifestime shkencore, arsimore, kulturore dhe artistike, si simpoziume, tribuna shkencore, debate, tryeza të rrumbullakëta, festivale artistike dhe letrare, ekspozita, akademi për ngjarje dhe personalitete të shquara të historisë dhe kulturës kombëtare, si dhe ka nxitur dhe botuar një varg veprash të rëndësishme shkencore dhe letrare nga autorë të rëndësishëm shqiptarë, përmes edicionit të botimeve të Bashkësisë Kulturore Shqiptare.

Gjatë kohës së regjimit komunist iu ndalua punësimi dhe zhvillimi i çdo veprimtarie publike, por edhe gjatë periudhës së mëvonshme, duke mos u pajtuar me filozofinë e veprimit të partive politike shqiptare që vepronin gjatë kësaj periudhe, do të mbetet anësh rrjedhave politike, si veprimtar, studiues dhe krijues i lirë, deri në vitin 2002, kur për herë të parë u punësua si profesor i gjuhës dhe komunikimit në Shkollën e mesme për kuadro të ekonomisë "Mosha Pijade", në Tetovë, kryesisht me ndihmën e disa shokëve, jo përmes partive politike që vepronin atë kohë në Maqedoni. Vetëm pas një viti do të largohet nga puna, për arsye të panjohura, të motivuara nga politika ditore dhe qarqet antishqiptare në radhët e partive politike shqiptare në Maqedoni.

Në vitin 2007, me ndihmën e disa profesorëve nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës, të cilët atë kohë ishin të angazhuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, u punësua për herë të parë në këtë Universitet, me detyrë ta themelojë dhe organizojë Seminarin e Albanologjisë në kuadër të këtij Universiteti. Në cilësi të Sekretarit të këtij Seminari, vetëm pas disa muajsh e inicioi zyrtarisht themelimin e këtij Seminari, i cili u pranua si njësi akademike e Universitetit, dhe po këtë vit i mbajti punimet për herë të parë, në Ohër.

Deri më tani ka publikuar me dhjetëra punime shkencore, publicistike, analiza politike dhe studime për kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe, në shumë gazeta, revista dhe publikime të tjera. Ka marrë pjesë në disa konferenca, simpoziume, tribuna dhe manifestime të tjera shkencore.

Përveç që kryen detyrën e kryetarit i disa asociacioneve kulturore dhe shkencore shqiptare në Maqedoni, si: kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, kryetar i Forumit Kombëtar të Forcave të Bashkuara, është edhe anëtar i organeve drejtuese të disa asociacioneve kulturore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku merr pjesë aktive në organizimin e veprimtarisë së tyre.

Në shkurt të vitit 2016 është zgjedhur Shef i Seksionit për Evropën, i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave edhe Arteve, dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të kësaj Akademie, me seli në Nju Jork, si dhe Kryetar i Degës në Maqedoni të kësaj Akademie (me shtrirje të aktiviteteve edhe Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi), me seli në Shkup.

Aktualisht jeton në Tetovë dhe punon në Universitetin Shtetëror të Tetovës.