e
Alfabeti : A | B | C | Ç | D | DH | E | Ë | F | G | GJ | H | I | J | K | L | LL | M | N | NJ | O | P | Q | R |RR | S | SH | T | TH | U | V | X | XH | Y | Z | ZH - |
E. I
1. Një nga zanoret e gjuhës shqipe dhe shkronja e shtatë e alfabetit të saj, e cila shënon këtë zanore. Zanorja e. Tingulli e. Shkronja e.
2. si em. f. Zanorja dhe shkronja e. E-ja e madhe (e vogël). E-ja e dorës (e shtypit). E-ja e theksuar (e patheksuar).
E II
1. Nyjë e përparme e gjinisë femërore tek emrat e rasës gjinore, tek emrat e mbiemrat e nyjshëm, te numërorët rreshtorë dhe te disa përemra, kur emri me të cilin lidhen është në rasën emërore ose kallëzore; nyjë e përparme e gjinisë mashkullore tek emrat e rasës gjinore, te mbiemrat e te disa përemra, kur emri me të cilin lidhen është në trajtën e shquar dhe në rasën kallëzore të numrit njëjës ose në rasën emërore a kallëzore të numrit shumës. Vajzë e mirë. Fushat e gjera. Lugina e Drinit. Djemtë e fshatit. Trimëritë e partizanëve. E reja mirditore. Nga e hëna tek e diela. Klasa e parë (e dytë, e pestë). Doli e para e klasës. E mira s'ka fund. Erdhën të gjitha shoqet e saj. Një punë e tillë të nderon. Shprehu mendimin e vet. Thirri djalin e madh. Të njohim heronjtë e pavdekshëm. I këshilloi djemtë e tij (e tyre).
2. Nyjë e përparme me kuptimin e përemrave pronorë të vetës së tretë të numrit njëjës, e cila përdoret me emrat femërorë që tregojnë lidhje gjaku a gjinie ose lidhje familjare; e tij, e saj. E ëma. E bija. E motra. E mbesa. E emta. E vjehrra. E shoqja. E kunata. E kushërira.
E III
Trajtë e shkurtër e përemrave vetorë të vetës së tretë në rasën kallëzore të numrit njëjës. E plotësoi detyrën. E pashë në rrugë. Nuk e kuptova mirë. Këtë e shoh qartë. Atë e dinë të gjithë. Merre (merreni) me vete! Thuaje hapur!
E IV lidh.
1. Përdoret për të lidhur dy gjymtyrë fjalie a dy fjali të një fare ose dy fjali të bashkërenditura këpujore a shtuese; dhe. Klasa punëtore e fshatarësia kooperativiste. Shkoi e u kthye shpejt. Të vriste natën e të qante ditën.
2. Përdoret për të lidhur dy fjalë a dy trajta të së njëjtës fjalë në togje me bashkërenditje, që tregojnë zakonisht përsëritje ose vijimësi veprimi a gjendjeje, që shprehin përforcim etj. Tani e tutje. Vetëm e vetëm. Një herë e përgjithmonë. Rreth e rrotull. Për orë e orë të tëra. Keq e mos më keq. Mirë e më mirë. Ec e ec e s'ka të sosur. Bie e fle. Zë e gërhet. Ka gojë e flet.
3. Përdoret për të kundërvënë dy gjymtyrë të një fjalie a dy fjali të një fare; dhe, edhe. Duhet punë e jo fjalë. Duhej t'ia kishe thënë e jo të heshtje.
4. Përdoret te numërorët e përbërë për të lidhur klasat e ndryshme të tyre (njëshet, dhjetëshet etj.). Njëzet e dy. Dyqind e tridhjetë. Një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre.
5. përd. pj. Përdoret në fillim të një togfjalëshi a të një fjalie për të theksuar kuptimin që shprehet prej tyre. E sot fshati duket si në festë. E u nis pastaj tërë gëzim.
E V pj. bised.
1. Përdoret në fillim të një fjalie pyetëse për të theksuar më shumë pyetjen ose për të tërhequr vëmendjen e bashkëbiseduesit përpara pyetjes. E, do të vish? — E, si thua, nisemi? — E? —pyeti ai përsëri.
2. Përdoret për të pohuar a për të miratuar diçka; po. — Nesër do të shkosh? — E, nesër.
- E po shih te PO.
E VI pasth.
1. Përdoret kur shprehim habi, kur ndodhemi para një të papriture a para diçkaje të padëshirueshme, kur kujtohemi papandehur për diçka etj. E, kush na erdhi! E, si e paskan prishur! E, si nuk e lajmëruam që dje!
2. Përdoret kur shprehim gëzim, kënaqësi, miratim ose ndonjë ndjenjë tjetër; hë. E, më ju lumtë dora! E, t'u bëftë nëna! E, sa u gëzova kur të pashë!
3. Përdoret kur shprehim dhembje, hidhërim a pikëllim, keqardhje, dëshpërim, qortim, zemërim, urrejtje etj.; ah. E, ç'e gjeti të ziun! E, mor i shkretë! E, po e zura, ç'do t'i bëj!
Dominanca e gjuhëve është marr sipas numrit të postimeve në Wikipedia, pra gjuhët me më shum postime jan marrë si gjuhë më dominante.</sm<ll>
Gjuhët më dominante
redaktoniGjuhët më jo dominante
redaktoni
|
|
|